Pas Liverpoolit edhe Borussia Dortmundi është futur në garë për mesfushorin e Kombëtares së Shqipërisë, Kristjan Asllani.
Asllani është pjesë e Interit, por mund të largohet gjatë këtij afati kalimtar nga Italia për të vazhduar karrierën diku tjetër.
Madje, Dortmundi thuhet se ka bërë gati ofertën për ta bindur Interin në lirimin e Asllanit, i cili ka kontratë me ekipin italian deri në vitin 2028.
Mësohet se ekipi gjerman do të ofrojë 20 milionë euro për të siguruar shërbimet e Asllanit, që pëlqehet edhe nga trajneri i Liverpoolit, Arne Slot.
22-vjeçari prej vitit 2022 është pjesë e Interit, ndërsa në Itali ka bërë karrierë edhe te skuadra e Empolit.
Sezonin e shkuar, Asllani pati 1 gol e 2 asistime në 31 paraqitje për Interin në të gjitha garat.
Ai ishte i pazëvendësueshëm te Shqipëria në tri ndeshjet e Grupit B në kuadër të “Euro 2024” dhe ishte njëri prej lojtarëve më të dalluar në fushë.