Në edicionin e ri të Superligës së Kosovës në futboll që do të nisë më 10 gusht, klubi i futbollit Prishtina do të hyjë me ambicie të mëdha për titullin e kampionit.
Kështu ka thënë drejtori i Përgjithshëm i klubit bardh e kaltër, Artan Osmani.
Osmani: Prishtina do të luftojë për titullin e kampionit
“Ky është synimi ynë për këtë vit, praktikisht ne do të jemi në luftë për titull, nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve sepse në futboll ky ‘topi i rrumbullakët” na është bërë si ëndërr e keqe sepse çdo dështim arsyetohet me ‘topin e rrumbullakët’. Si do që të jetë përgatitjet i kemi bërë për të luftuar për titull dhe jemi shumë të sigurt se do të jemi konkurrent, por jo vetëm ajo, ne duhet të tregojmë performancë dhe suksese edhe në Evropë”, tha Osmani.
Sipas Osmanit, ekipi tashmë është i kompletuar dhe udhëheqja e tij i është besuar trajneri francez Jean Michel Cavalli.
Osmani: Jemi gati dhe kemi gjetur një trajner shumë të mirë
“Ekipi është i kompletuar dhe i gatshëm për sezonin e ri. E kemi marrë edhe trajneri e ri së bashku me ndihmës-trajnerin, realisht ka qenë opsioni më i mirë që kemi mundur ta gjejmë në treg edhe që ka pranuar sfidën të vijë në Kosovë sepse këtë vit e kemi vërejtur një dukuri shumë interesante, kemi gjetur lojtarë dhe trajnerë shumë të mirë, por të cilët përgjithësisht për shkak të imazhit si Kosovë edhe për shkak të pasigurisë në aspektin e imazhit dhe infrastrukturës nuk kanë pranuar të vijnë”, tha Osmani.
Osmani ka thënë se trajnerët vendorë nuk po arrijnë ta dërgojnë Prishtinën në një nivel më të lartë, andaj është vendosur për angazhimin e një trajneri të huaj.
Osmani: Trajnerët vendorë nuk po mund të na çojnë një hap më tutje
“Përfundimisht, ne ua kemi dhënë rastin gati të gjithë trajnerëve vendorë, edhe atyre më të rinj dhe kemi parë që është e kufizuar mundësia deri ku mund ta zhvillojnë ekipin, brenda për brenda si kampionat edhe mund të forcohen, por në aspektin ndërkombëtar, sepse ne kryesisht po varemi edhe financiarisht por edhe në aspektin sportiv nga suksesi në garat evropiane, gjë që nuk është mirë, por kjo është situata aktuale dhe po e shohim që më trajnerë vendorë, këta që i kemi provuar të paktën deri më tani është shumë problem të bëhet një hap më tej”, tha Osmani.
Edhe blerjet në afatin kalimtar veror nga ana e klubit, sipas Osmanit, ja bërë në koordinim të plotë me trajnerin francez.
Osmani: Blerjet e reja janë bërë me rekomandimin e trajnerit
“Të gjitha prurjet janë bërë në koordinim me trajnerin, sepse është e pamundur do të thotë, cilido opsion tjetër e vë në rrezik pastaj edhe performancën e lojtarit. Një pjesë të tyre trajneri e ka rekomanduar, ndërsa pjesa tjetër është marrë nga ana e skautëve tanë, drejtorit sportiv e të tjerë. Por, përgjithësisht ka pasur një aprovim të të gjithëve për të gjitha këto prurje që janë bërë deri më tani”, tha Osmani.
Drejtori i përgjithshëm i KF Prishtinës bëri të ditur se ndeshjet e kampionatit do t’i zhvillojnë në stadiumin “Fadil Vokrri”, pasi tashmë fusha është rinovuar dhe e gatshme për lojë.