“Ishte vetëm një ndeshje në fillim të gushtit, por më pëlqeu shpirti i skuadrës, përtej rezultatit.
Mbrëmja u prish, sepse humbja e Esteves është një problem i madh për ne. Djali nuk e meritonte një lëndim të tillë. I uroj fat të mirë. Ne mbajmë anën pozitive, skuadra luftoi, ishte e rrezikshme ndaj kampionëve të Italisë.
Më pas do të mendojmë për Kupën e Italisë, që ka rëndësi, por përgjigja ishte pozitive”. Pippo Inzaghi, trajneri i Pisa, ka folur për ndeshjen ndaj Interit, pasi miqësorja përfundoi në barazim 1-1. Në intervistën e dhënë për “Skysport”, ai u ndal edhe te skuadra e drejtuar nga vëllai, Simone.
A mund të jesh ambicioz këtë sezon?
Ne vijmë nga dy sezone shumë të vështira, për këtë arsye objektivi është ta bëjmë ekipin të performojë sa më mirë. Sipas mendimit tim, këto janë një bazë tifozësh dhe një klub që duhet të përfundojë në tetëshen më të mirë. Jemi në ‘vitin zero’, duhet të stërvitemi, të krijojmë diçka për të ardhmen. Ndoshta një ditë do të arrijmë aty ku ëndërrojmë. Le të ecim hap pas hapi. Jemi me fat që kemi një klub të madh dhe një bazë solide tifozësh për Serie B. Këto janë avantazhe për ne.
U përballët me Interin dhe Simone? Si e gjetët sërish, për shkak të presionit, sepse do të duhet të qëndrojë në nivele të larta?
Interi është një burim studimi për ne trajnerët. Mënyra se si Simone i bëri zikaltrit të luanin është diçka e pabesueshme. Edhe kur i sheh nga fusha janë të pakapshëm për mënyrën se si lëvizin, për mënyrën se si luajnë.
Nderim për Simonen dhe Interin, i falënderojmë që na dhanë këtë mbrëmje të bukur. Sjellja e kampionëve të Italisë këtu në Pisa, me vëllanë tim, ishte një burim kënaqësie të madhe për mua. Simone tani është ndër trajnerët më të mirë në Europë dhe e ka merituar me punën e tij.