Pesë gola (dy dopieta) në 3 ndeshjet e para të fazës përgatitore kundër Luganos, Pergoleteses dhe Las Palmasit. Një nisje fantastike për një lojtar që nuk kishte nevojë për të treguar se kush është, por thjesht për të dëshmuar se sa mirë u përshtat në botën zikaltër.Por për Mehdi Taremin ka ardhur një ndalesë që nuk duhej sidomos për skuadrën dhe trajnerin Simone Inzagi. Problemi në kofshë e rrezikon për ndeshjen e parë të kampionatit, e planifikuar më 17 gusht në Marasi kundër Xhenoas. Gjatë këtyre ditëve do të bëjë të tjera analiza, por rrezikon që të mungojë 15 ditë. Ky lajm sigurisht që ka prishur disi planet e trajnerit Simone Inzagi, por jo të klubit. Interi nuk ka ndërmend që të futet në merkato vetëm sepse Taremi mungon në ndeshjen e parë.
Markus Turam u rikthye në stërvitje 2 ditë përpara dhe ato mjaftojnë që ai të gjejë formën dhe të jetë gati për sfidën me Xhenoan. Tani trajneri Inzagi ka për detyrë që në këto 2 javë të gjejë mënyrën se si do të zbresë ekipin në fushën e lojës, ose më mirë repartin e avancuar. Turam do të jetë titullari, ndërsa në pikëpyetje është shoku i repartit për të. Lautaro Martinez pritet që të rikthehet përpara datës 7 gusht kur ishte planifikuar, por do të ketë në dispozicion shumë pak stërvitje për të qenë në formë. Arnautoviç është një opsion për të qenë titullar, por nuk dihet e ardhmja e tij.
Austriaku do të bëjë një takim me klubin për të mësuar nëse qëndron apo jo në Milano edhe për sezonin e ardhshëm. Interi nuk ka ndërmend që të bëjë ndërhyrje në merkato në rast se nuk largohet ai, ose Korrea. Ky i fundit ka qenë titullar në të gjitha ndeshjet, por nuk ka lënë gjurmë. Nuk përjashtohet mundësia që si titullar për Xhenoan të jetë edhe Mkitarian pas shpinës së Turamit në skemën 3-5-1-1 dhe Zielinski si titullar në mesfushë.
PANORAMASPORT.AL