“Pingry High School”, një shkollë e mesme e njohur në Nju Xhersi, po vazhdon të mikpresë Milanin edhe në këto ditë të fundit stërvitore në turneun veror amerikan që i paraprin ndeshjes së fundit miqësore e cila do të luhet më 6 gusht kundër Barcelonës në Baltimor.
Ditën e djeshme kuqezinjtë zhvilluan një stërvitje të hapur për tifozët, e cila u dëshmua të ishte shumë intensive, siç raportoi “La Gazzetta dello Sport” e pranishme me një prej korrespondentëve të saj. Sipas asaj që raportohet, Ismael Benaser është stërvitur veçmas për një goditje në këmbë, që gjithsesi nuk është serioze për mesfushorin.
Dy lojtarë të rinj, megjithatë, kanë lënë grumbullimin për të bërë një rikthim të hershëm në Itali. Bëhet fjalë Marko Nasti dhe Adam Bakune të cilët do t’i bashkohen grupit të Milanit U-23 që në fundjavë do të luajë ndeshjen e parë zyrtare në Kupën e Italisë Serie C në shtëpi kundër Lekos.
PANORAMASPORT.AL