Një nga emrat më të lidhur me Milanin gjatë javëve të fundit ka qenë padyshim ai i Lazar Samarxhiçit,. Mesfushori, i cili ishte shumë afër Interit sezonin e kaluar, ndiqet nga kuqezinjtë. Prej disa kohësh ka edhe një akord.
Samarxhiç pret Milanin, ndërkohë klubet kanë diferenca shumë të larta financiare. Për më tepër, sipas asaj që raportohet nga “calciomercato.com”, pozicioni i Udinezes nuk duket se do të ndryshojë në afat të shkurtër. Në fakt, bardhezinjtë tashmë kanë angazhuar zëvendësuesin e serbit, pikërisht Jurgen Ekelenkamp e megjithatë, kjo nuk e shtyu klubin friulian të ulë kërkesat për mesfushorin. Për këtë arsye, Milani do të duhet të bëjë një përpjekje të konsiderueshme ekonomike (25 mln euro) nëse dëshiron të sigurojë paraqitjet e tij.
AKORDI ME ROMËN – Për të kompletuar repartin e tyre sulmues, Milani është në kërkim të një sulmuesi që mund të përmbushë detyrat si zëvendës i Moratës. Klubi kuqezi, pasi pa Niklas Fylkrug të merrte rrugën drejt Uest Hemit në Premier League, është kthyer fuqishëm te opsioni tjetër i shënuar në listë, Tami Abraham, qendërsulmues i Romës.
Kërkesat verdhekuqe janë mjaft të larta, sidomos duke qenë se bëhet fjalë për një lojtar të rikthyer nga një dëmtim i rëndë dhe për këtë arsye në negociata mund të mendohet për përfshirjen e ndonjë aseti teknik për të plotësuar kërkesat e Romës.
Sipas “Corriere dello Sport”, klubi kryeqytetas e vlerëson Abrahamin në 35 milionë ndërsa Salmakersit do të kushtonte 10 milionë. Për të mos paguar asgjë, kuqezinjtë duan të fusin në këmbim edhe Noah Okaforin. Në fakt, preferenca e drejtuesve të “Djallit” do të kishte qenë largimi i Kalabrias dhe Joviçit, por asnjëri nga këto profile nuk e bind drejtorin sportiv të Romës Gandolfi i cili kërkon elemente që kanë pëlqimin e De Rosit, ose para të freskëta për t’i investuar në merkato ku deri tani klubi verdhekuq ka “hedhur” me shumë se 100 milionë euro.
PANORAMASPORT.AL