Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani po synon të bëjë edhe një hap të madh drejt kualifikimit në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës për herën e tretë rresht.
Megjithatë, për të qenë pjesë e fazës së grupeve, Ballkani duhet t’i eliminojë edhe dy kundërshtarë, në raundin e tretë kualifikues dhe play-offin e kësaj gare.
Misionin për të kaluar me sukses rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, Ballkani e nis sot në mbrëmje.
Prej orës 20:00, ekipi nga Suhareka përballet me Larnen e Irlandës së Veriut në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ballkani vlerësohet favorit në këtë përballje, të cilën synon ta fitoj për të krijuar avantazh para ndeshjes së kthimit që e luan në udhëtim javën tjetër.
Në fakt, Ballkani e njeh këtë kundërshtar, të cilin sezonin e shkuar e pat eliminuar në raundin e dytë kualifikues me rezultatin e përgjithshëm 7:1.
E nëse Ballkani avancon në play-off, atëherë në këtë fazë do të përballet me humbësin e duelit Dinamo Minsk – Lincoln, kundërshtarë që përballen në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës.
Bazuar në këtë, Ballkani ka mundësi të mirë që për vitin e tretë rresht të jetë pjesë e fazës së grupeve të Ligës së Konferencës.
Në dy sezonet paraprake, Ballkani nuk arriti të avancoj përtej grupeve por që pjesëmarrja në këtë fazë është sukses për kampionin e trefishtë të Kosovës.