Wednesday, 13. May 2026
Sport

Mbappe debuton te Reali në Superkupën e Evropës

GS 13/08/2024 2 Min. Lesezeit

Sulmuesi i Francës, Kylian Mbappe do të debutoj me fanellën e Real Madridit të mërkurën mbrëma.

Mbappe është përfshirë në ekip dhe ka udhëtuar drejt Varshavës së Polonisë për ndeshjen që Real Madridi e luan ndaj Atalantas në kuadër të Superkupës së Evropës.

Nuk dihet nëse Mbappe do të jetë startues pasi Realit në stërvitje i është bashkuar javën e shkuar, por pritet të ketë minutazhë për sulmuesin francez nga trajneri Carlo Ancelotti.

Mbappe javë më parë iu bashkua Real Madridit pasi i skadoi kontrata me PSG-në, ndërsa pritet të jetë arma kryesore e ekipit mbretëror në sezonin e ri.

Trajneri Ancelotti për këtë ndeshje ka ftuar ekipin e plotë, pasi të gjithë lojtarët i ka në dispozicion për ta nisur sezonin 2024/25 me trofe.

Reali që sezonin e shkuar triumfoi në Ligën e Kampionëve, ka përball Atalantan e Berat Gjimshitit, ekip që e fitoi Ligën e Evropës.

Tek Atalanta, Gjimshiti është përfshirë në ekip dhe pritet të jetë i pazëvendësueshëm në mbrojtje, por nuk është ftuar mesfushori holandez Teun Koopmeiners për shkak se pritet të transferohet te Juventusi.

Ndeshja mes Realit dhe Atalantas nis në orën 21:00 dhe luhet në stadiumin nacional të Varshavës, i cili ka një kapacitet prej më shumë se 56 mijë ulëseve.

Teilen: