Mançester Junajtid është duke eksploruar mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të përhershme ose huazimi me detyrim blerjeje për mesfushorin e PSG-së, Manuel Ugarte.
Në këtë moment, Skot MekTominej do të mbetet në “Old Trafford”, kështu që Junajtid duhet të eksplorojë mundësitë e tjera për të arkëtuar të ardhura për merkaton. Nëse do të ketë largime, kjo do ta ndihmonte klubin që të përfundonte një marrëveshje për transferimin e Ugartes, një rezultat që do të preferonin të dy klubet. Nëse jo, një huazim me detyrim blerjeje nuk mund të përjashtohet.
Mançester Junajtid është i vetëdijshëm se Ugarte është i dëshpëruar për t’u bashkuar me gjigantët anglezë dhe se PSG dëshiron të bëjë një marrëveshje. Junajtid po shikon gjithashtu opsione të tjera në mesfushë, me dialogun e që mbetet i hapur me Fiorentinën për Sofian Amrabatin, i cili do të kushtonte shumë më lirë sesa Ugarte. Por Erik ten Hag do të mbajë gjithmonë një sy hapur edhe për situatën e Frenki de Jongut në Barcelonë.
Ata e kanë admiruar prej kohësh mesfushorin holandez, të cilin u përpoqën ta transferojnë verën e kaluar dhe ai ka hyrë në dy vitet e fundit të kontratës. “Djajtë” aktualisht do të mendojnë për të shitur MekTominejn, vetëm në rast se mesfushori skocez do të kërkonte të largohej dhe do të vinte një ofertë e përshtatshme për ta. Klubi ka ruajtur një linjë në qëndrimin e tyre ndaj 27- vjeçarit. Erik ten Hag e ka mbështetur gjithmonë produktin e akademisë dhe ka folur publikisht për rëndësinë e tij për skuadrën pasi ai bëri sezonin e tij më të mirë në “Old Trafford” (shënoi 10 gola).
Napoli ruan një interes për MekTominejn, por ata duhet të shesin për të qenë në gjendje të financojnë këtë transferim. Fulhami rihapi bisedimet me Junajtidin për MekTominejn dhe kuptohet se ka ofruar 25 milionë paund, duke përfshirë bonuset e lidhura me performancën, megjithëse tani ata kanë rënë dakord për një marrëveshje me Bërnlejn për transferimin e mesfushorit Sander Berge, i cili ishte një objektiv i Junajtid.