Isha shumë kurioz të shihja Juventusin e ri të Tiago Motës në aksion, edhe pse e dija që nuk mund ta prisja maksimumin pas disa javësh grumbullim. Duhet të them që më kanë pëlqyer bardhezinjtë e më duket se kanë marrë rrugën që trajneri ka ndjekur me seriozitet dhe përkushtim.
Sigurisht, duhet pranuar se Komos dukej dukshëm inferior në nivel teknik dhe fizik. Prandaj do të ishte mirë që pas kësaj fitore Juve të mos emocionohet, sigurisht: nuk është koha për gjykime, jemi vetëm në fillim të sezonit dhe për bardhezinjtë është edhe fillimi i një cikli. Mbetem i bindur se klubi ka bërë një investim të shkëlqyer me nënshkrimin e Motës. Kam shumë besim tek ai, sepse e pashë të punonte në Bolonjë dhe mbi të gjitha e admirova lojën që u dha kuqebluveve, madje duke i çuar drejt kualifikimit për në Champions. Mota është një strateg, dikush që studion futbollin nga mëngjesi në mbrëmje, dikush që jeton për këtë sport dhe për rrjedhojë jam i sigurt se skuadra do të përfitojë nga ky përkushtim total. E rëndësishme është që mjedisi, dua të them drejtuesit dhe gjithashtu tifozët, i japin trajnerit kohë për të punuar: përmirësimet do të shihen ndeshje pas ndeshjeje dhe shpesh do të jenë rezultat i eksperimenteve të kryera gjatë javës falë intuitës së trajnerit.
Nëse lojtarët ndjekin udhëzimet e Motës dhe nëse dëshmojnë se janë njerëz të besueshëm, atëherë nuk do të ketë probleme: kjo Juve do të kthehet në lartësinë e emrit të saj. Duke iu rikthyer performancës kundër Komos, nënvizoj futbollin pozitiv dhe proaktiv që Mota po përpiqet të rrënjosë te lojtarët e tij. Edhe ai, pavarësisht se ka ardhur së fundmi, po përpiqet të ndikojë me zgjedhje shumë të qarta.
Të fokusohesh te një i ri si Mbangula, njëzet vjeç, është një sinjal për të gjithë grupin: do të thotë që Tiago i ndjek të gjithë, se gjykon në bazë të meritave dhe se nuk ka probleme nëse ka një “çunak” meriton formacionin apo një “senator” duhet të vendoset në stol. Mota, e përsëris, është një strateg: një trajner që ka një vizion të gjerë, i cili nuk kufizohet vetëm në vëzhgimin e rezultatit të një ndeshjeje, por e shtrin shikimin në afatin e mesëm. Nga ky këndvështrim duhet të lexohen zgjedhjet e tij dhe të interpretohet stili i tij.
PANORAMASPORT.AL