Edukimi financiar është gjithnjë e më i pranishëm në botën e futbollit. Më të privilegjuarit në këtë sport, ata që kanë grumbulluar një trashëgimi financiare me kontrata elitare, kanë mjetet më të mira për t’i dhënë jetë shpirtit sipërmarrës.Pasi trajnohen dhe këshillohen, shumica kërkojnë mundësi të mëdha tregu dhe kështu diversifikojnë një pjesë të të ardhurave të krijuara në fushën e lojës. Gjithnjë e më shumë futbollistë po hipin në këtë varkë, e cila përfshin një pjesë të madhe të skuadrës së Realit të Madridit. Ata jo vetëm që janë të etur për fitore dhe tituj, por shfaqin ambicie të mëdha edhe në fushën e biznesit duke hapur biznese dhe duke investuar në tregje me përfitim të dukshëm, siç është sektori i pasurive të paluajtshme. Gazeta “AS” i ka bërë një rezyme sipërmarrjeve të disa prej tyre.
KURTUA ME REKORD BIZNESESH Mund të thuhet se Kurtua është lojtari i Realit me përfaqësimin më të madh në botën e biznesit. Portieri belg iu fut biznesit në fushën e pasurive të paluajtshme kur zbarkoi në Madrid. Në vitin 2019, ai krijoi kompaninë “Roncal Real Estate”, dedikuar blerjes dhe shitjes së pasurive të paluajtshme. Fryma e tij sipërmarrëse e bëri atë të krijojë një agjenci udhëtimesh, “Be The One Vip Sports Experience”, e specializuar në ofrimin e përvojave ekskluzive për klientët e saj. Zgjerimi i biznesit të Kurtua vazhdoi me investime në firma të tjera, si ajo e drejtuar nga Ljuis Hamilton, “Neat Burger”, zinxhiri i parë i hamburgerëve vegan në botë, vlera e të cilit i kalon 100 milionë dollarët. Mund të mburret gjithashtu se ka ekipin e vet të motorsportit, “TC Racing”, i cili garon në kampionatin spanjoll të Formula 4. Kjo nuk është e gjitha, lëvizja e tij e fundit e biznesit ishte me Marko Asension.
KARVAHAL PAS PRONAVE Mbrojtësi ndjek të njëjtat hapa si portieri belg. Ai është një tjetër anëtar i skuadrës së bardhë që shquhet edhe për instinktin e tij të biznesit. Investimi i tij i parë u caktua për krijimin e “Nice Body”, një qendër stimulimi që shquhet si një hapësirë që ndërthur sportin dhe shëndetin. Për ta bërë këtë, ai u bashkua me Pablo Sarabia, me të cilin krijoi një biznes të pasurive të paluajtshme, “Blossom Home Design”, i specializuar në blerjen dhe shitjen e pronave luksoze. Karvahal ka një pjesë të të ardhurave te “Toteem”, një startup që bashkon dashamirët e çiklizmit për të bashkëvepruar dhe për të përfunduar sfidat. Me Hoselun, kunatin e tij, ai gjithashtu ka një biznes të përbashkët. Të dy futbollistët projektuan “Trilandia 92”, një kompani e dedikuar për investimet dhe menaxhimin e të gjitha llojeve të pronave. Kompania e krijuar në vitin 2022, sipas Regjistrit Tregtar, raportoi fitime në vitin fiskal vjetor vitin e kaluar.
ALABA, AKSIONER I AUSTRIA E VJENËS David Alaba është një nga aksionerët e Austrisë së Vjenës, skuadër në të cilën ai debutoi dhe që vitet e fundit ka kaluar në vështirësi të rënda financiare. Qendërmbrojtësi i Realit bleu 2% të aksioneve të klubit austriak për 500,000 euro. Kjo nuk është e gjitha, futbollisti hapi dyert e restorantit “DaRose”, i specializuar për ushqimin mesdhetar, në Vjenë. Ajo gjithashtu ka disa projekte të pasurive të paluajtshme në kryeqytetin austriak.
MODRIÇ SI BIZNESMEN – Investimet në pasuri të paluajtshme janë një nga aspektet e biznesit të Luka Modriç. Në vitin 2020, kroati vendosi të ndërtojë një kompani të pasurive të patundshme, të cilën e quajti “Modric Family SL”. Kjo kompani është e përkushtuar për blerjen dhe shitjen e pronave të apartamenteve të lokalizuara në zonat e kërkuara të Madridit. Kapiteni i Realit ka gjithashtu vëmendjen e tij në një treg digjital që po lulëzon, siç janë “NFT”-të. Futbollisti kroat ka hedhur në treg dhe një koleksion personal me imazhet e tij, të cilat mund të shihen në platformën “Ethernit”.
VINICIUS – Vinicius dhe Bellingam ndajnë shijet në fushë dhe gjithashtu jashtë saj. Futbollisti brazilian, ashtu si partneri i tij, regjistroi emrin e tij në Zyrën e Pronësisë Intelektuale për të mbrojtur markën “BailaViniJR” me synimin për të nxjerrë produkte me identitetin e tij. Numri 7 i Realit projektoi kompaninë e tij, “Time VJR”, në të cilën 12 punonjës punojnë ekskluzivisht për të. Lojtari madrilen shquhet edhe për punën e tij sociale. Në vitin 2021, u hapën dyert e “Institutit Vini JR”, një qendër që ndihmon fëmijët dhe adoleshentët nga lagjet e pa favorizuara për t’i riintegruar nga ana sociale në shkollë. UNESCO e dekoroi atë si Ambasador të Vullnetit të Mirë për luftën e tij të vazhdueshme kundër diskriminimit.
KOMIKËT E MBAPESË – Kilië gjithashtu ka treguar një interes të dukshëm për botën e biznesit. Futbollisti francez ka ndarë një pjesë të aseteve të tij për të bërë investime në tregje në lulëzim. Një nga lëvizjet e tij të para ishte bashkëpunimi me agjencinë hollivudiane “WME”, me të cilën ai hapi kompaninë e tij të prodhimit, “Zebra Valley”. Më tej, ai hodhi në treg komiken e tij, “Je m’appelle Kylian” (Unë quhen Kilië), i cili rrëfen dhe mbulon aspektet më të rëndësishme të 20 viteve të para të jetës së tij; që nga momenti kur është në barkun e nënës deri në ditën kur fiton Botërorin e parë me Francën. Francezi bëri gjithashtu një depërtim të ri në një botë që e ka pasion, siç është moda. Mbape krijoi koleksionin e tij të syzeve për markën “Oakley”. Ai është gjithashtu ambasador i markave të njohura, si “Nike”, “Hublot” apo “EA Sports”. Goditja e fundit e biznesit të Mbapesë ishte vetëm pak ditë më parë, kur arriti të bëhet aksioneri më i madh i Kaen, një skuadër e divizionit të dytë francez.
LUKAS VASKEZ, PRONAR VERE Gjithashtu në anijen e biznesit të Madridit është dhe Lukas Vaskez. Futbollisti galician është një nga partnerët e markës “Vinos Crías Cuervos”, e themeluar në vitin 2020. Këtij investimi, i cili ka pasur sukses të plotë, i janë bashkuar edhe Ivan Rakitiç dhe Fonsi Nieto. Në vetëm katër vjet, kompania ka arritur një qarkullim mesatar prej 2.4 milionë euro falë prodhimit të saj masiv deri në 600,000 shishe vere në vit. Numri 17 madrilen bashkoi forcat edhe me Ana Peleteiro për hapjen e një qendre sportive me firmën “Crys Dyaz & Co” në La Korunjë. Protagonistët e këtij projekti bënë të ditur se një pjesë e të ardhurave të krijuara do të ndahen për organizata bamirëse dhe për qëllime solidariteti.
“NFT”-të E FERLAND MENDI Mendi është një nga partnerët e “Royaltiz”, një kompani franceze e dedikuar për blerjen dhe shitjen e argumenteve të lidhura me atletë, të famshëm ose krijues të përmbajtjes. Përdoruesit mund të blejnë monedha virtuale me qëllim që të bëjnë një shitje me një çmim më të lartë. Në këtë kompani kanë investuar mes futbollistëve të tjerë Mahrez, Kimpembe, Gabriel Paulista dhe Moise Ken.
MARKA XHUDE BELLINGAM‘ Jude Bellingham mori një vendim të shkëlqyeshëm duke regjistruar emrin e tij në Zyrën e Pronësisë Intelektuale me qëllimin e qartë për të nisur një fazë të re si biznesmen. Futbollisti britanik vulosi mbrojtjen ligjore për të qenë në gjendje të tregtojë dhe shesë produkte. Lëvizje të cilën e ndoqën edhe legjenda të tjera të këtij sporti, si Leo Messi, Sergio Ramos apo Cristiano Ronaldo , të cilët gjithashtu regjistruan identitetin e tyre me të njëjtin objektiv. Ai është gjithashtu një nga të paktët sportistë që kanë linjën e tyre të veshjeve në “Adidas”.
KAMAVINGA ME SALLON FLOKËSH Francezi përmbushi një nga ëndrrat e mëdha të vëllait të tij, Sebastiao. Mesfushori filloi në botën e biznesit me hapjen e një salloni flokësh, “The Camavinga House”, që ndodhet në lagjen “Chamberí”. Kjo është një qendër e specializuar për prerjet e flokëve për meshkuj.
TÇUAMENI, NGA VESHJET TE SHKRIPËZIMI I UJIT Orelië Tçuameni është një nga partnerët e “Homies From Paris”, një markë e modës urbane e krijuar nga Zhyl Kunde. Kjo markë, pjesa themelore e së cilës është dhe stilistja Goba Noel, ka një përfaqësim të madh në Paris me disa dyqane në rrugët e kryeqytetit francez. Karim Benzema është një nga ambasadorët e kësaj kompanie. Tçuameni është gjithashtu një partner i “Seawards”, një kompani për shkripëzimin e ujit të detit e specializuar në sigurimin e ujit të pijshëm përmes metodave inovative.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL