Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, përshëndeti kthimin e Ilkai Gyndoanit në “Etihad”.“Ai luajti shumë mirë sezonin e kaluar për Barcelonën dhe unë e di se sa konkurrues është. I dua cilësitë e tij dhe ai do të na japë një alternativë të jashtëzakonshme”. I pyetur nëse ish-kapiteni mund të debutojë që në ndeshjen e sotme të Sitit, Pep tha: ”Ai di gjithçka, kështu që nuk ka nevojë për kohë për t’u ambientuar. Ai është gjithmonë në pozicionin e duhur dhe të gjithë janë kaq të emocionuar dhe të lumtur që ai është kthyer. Jam i sigurt se është e njëjta gjë nga tifozët”.
I pyetur nëse kampionët e Anglisë presin të transferojnë dikë tjetër para mbylljes së merkatos, trajneri katalanas tha: “Nuk mendoj kështu, por nuk e di. Tregu mund të na ofrojë diçka që është financiarisht e volitshme për ne, por për momentin nuk e di”. Ai u pyet në lidhje edhe me mundësinë e rikthimit të Rahim Sterlingut në “Etihad”, pasi Çelsi e ka nxjerrë në shitje. ”Ai është një lojtar i Çelsit. Ndihem shumë i lidhur me të për shkak të kohës që kemi kaluar bashkë dhe ndihem kështu me të gjithë lojtarët e mi. Por ai është një lojtar i Çelsit. Nëse do të më kishit pyetur për Gyndoanin më parë, unë do të kisha thënë se ai ishte një lojtar i Barcelonës. Por unë i uroj gjithë të mirat”.
Pas prezantimit, Gyndoan tha për Sitin se është klubi që ofron paketën perfekte dhe Pep mendon njëlloj: “Është një privilegj për të gjithë ne që të jemi në klub. Është një nder. Klubi po menaxhohet në mënyrë të mahnitshme. Lojtarët kanë gjithçka që u nevojitet për të performuar në nivelin më të lartë të mundshëm. Kjo është arsyeja pse është një vend i rehatshëm për të punuar”. Ai dha edhe një përditësim mbi gjendjen e ekipit përpara ndeshjes së sotme kundër Ipsuiçit: ”Savinjo ndihet më mirë. Unë nuk mendoj se ai është 100% gati, por ne do të shohim sot dhe nesër se çfarë duam të bëjmë me të. Rodri po përmirësohet, por ai nuk ka qenë me grupin. Ndoshta ai mund të marrë pjesë në stërvitje të pjesshme sot, por nuk mendoj se ai do të jetë në dispozicion”.
PANORAMASPORT.AL