Prizreni do të jetë mikpritës i Superkupës së Kosovës në basketboll.
Sipas një njoftimi nga Federata e Basketbollit të Kosovës, bazuar në kompetencat e Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) që dalin nga Statuti, gjegjësisht neni 23, si dhe bazuar në Rregulloren e Punës së Bordit të FBK-së, më 23.08.2024, pas mbylljes së konkursit, Bordi i FBK-së ka marrë vendim për organizimin e Superkupës së Kosovës në konkurrencën e Meshkujve në qytetin e Prizrenit, në datat 7-11 Shtator 2024.
Superkupa do të organizohet nga Federata e Basketbollit e Kosovës në bashkëpunim me KB Bashkimi.
Eventi i basketbollit do të organizohet nga 7 deri më 11 shtator.
Për pesë ditë radhazi do të jetë festë e basketbollit me tetë klubet e elitës së basketbollit të Kosovës.
Qyteti i bukur dhe historik do të jetë mikpritës i tifozëve basketbolldashës, kurse palestra “Sezai Surroi” do të jetë arena e ndeshjeve të basketbollit, ku priten shumë sfida interesante nga çerekfinalet, e deri te finalja, më 11 shtator.
Fitues aktual i Superkupës në basketboll është Trepça, e cila në finale kishte mposhtur Pejën 78-76.
Ky ishte trofeu i parë për mitrovicasit, në edicionin e kaluar, para se të fitonin në të gjitha kompeticionet ku garuan në, Kupën e Kosovës, Ligën Unike, për ta përfunduar sezomin me shpalljen kampion edhe në Prince Caffe Superligë.