Të gjithë e kanë të qartë se varianti më i mirë i ofruar nga Kilië Mbape ka qenë te Paris SG-ja në krahun e majtë.Në atë pozicion ai ka përhapur panik në mbrojtjet kundërshtare. Por në sezonin e fundit, para se të bashkohej me Realin, ai në thuajse gjysmën e ndeshjeve nën drejtimin e Luis Enrikes ka luajtur si një sulmues qendre (numër 9). Këtë gjë e ka bërë edhe me Karlo Ançelotin te Reali i Madridit në tre ndeshjet e tij të para me fanellën e Madridit. Një nëntësh tipik si dhe numri që mban në fanellë. Por deri më tani, në asnjë nga këto tre takime ai nuk ka dhuruar atë që të gjithë e dinë se është më i miri në botë. Bëhet fjalë për pozicionin? Nuk e sheh kështu Ançeloti. “Ai është një sulmues spektakolar, shumë i shpejtë, lëviz mirë pa top, sulmon prapa, ka pasur tre-katër mundësi.
Në atë pozicion (9) do të shënojë, siç ka shënuar gjithmonë. Nuk mendoj se është e nevojshme të luajë në të majtë, në qendër do të shënojë po aq shumë gola”. Dhe e vërteta është se Mbape ka luajtur si qendërsulmues në shumicën e ndeshjeve të karrierës së tij. Është gjithashtu e vërtetë se ai rrallëherë ka pasur në krahun e tij (majtas) një lojtar aq specifik sa Vinicius. Sezonin e kaluar, braziliani filloi të lëvizte më shumë në qendër, por ishte një skemë tjetër. Në 4-3-3 të përdorur deri më tani nga Ançeloti në projektin 2024-25, rolet përpara janë të qarta. Edhe Mbape duket i bindur se do të jetë një sukses edhe në qendër të sulmit, ndonëse për momentin nuk ndihet edhe aq shumë rehat. Edhe për Realin gjërat janë të qarta, Mbape është një garanci, që nuk ngre kurrfarë mëdyshje.
PANORAMASPORT.AL