Trajneri i ri i Rumanisë, Mircea Lucescu, ka shpallur të premten listën për ndeshjet me Kosovën dhe Lituaninë.
Kosova e Rumania përballen më 6 shtator në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të Ligës C të Ligës së Kombeve. Pjesë e grupit C2 të Ligës së Kombeve është edhe Qipro.
Janë disa risi në listë, shkruajnë mediat rumune.
Trajneri veteran, Lucescu, ka ftuar Alexandru Mitritan e Universitatea Craoiva, që ka 18 ndeshje e tri gola.
Ai nuk ishte ftuar për dy grumbullimet e kaluara për shkak të mosmarrëveshjeve me ish-selektorin Edi Iordanescu.
Te Rumania është kthyer edhe Alexandru Chipciu, mbrojtësi i Universitatea Cluj, që ka 45 ndeshje e gjashtë gola.
Ai nuk ishte ftuar për plot pesë vjet. Iulian Cristea është tjetër lojtar i kthyer. Ai nuk ka luajtur për Rumaninë që nga viti 2022.
Mihai Lixandru i FCSB-së është ftuar për herë të parë dhe mund të debutojë ndaj Kosovës.
Janë shtatë lojtarë që ishin me Rumaninë në Evropianin në Gjermani që nuk janë ftuar për këto dy ndeshje.
Rumania pati paraqitje të mira në Evropian dhe vlerësohet favorite e grupit në Ligën C të Ligës së Kombeve, që është niveli i tretë.
Rumunët e nisën Evropianin me fitore 3-0 ndaj Ukrainës. Më pas u mposhtën 2-0 nga Belgjika, ndonëse luajtën mirë.
Në ndeshjen e fundit në grup, Rumania luajti 1-1 me Sllovakinë. U kualifikua në një të tetën e finales ku u mposht nga Holanda me rezultatin 3-0.
Në kualifikimet për “Euro 2024”, Kosova e Rumania janë përballur dy herë.
Më 16 qershor të vitit të kaluar në Prishtinë, ndeshja kishte përfunduar 0-0.
Më pas më 12 shtator në Bukuresht, rumunët fituan 2-0. Të dy ndeshjet u karakterizuan me telashe të shkaktuara nga huliganët rumunë.
Rumania e fitoi grupin kualifikues me 22 pikë. Kosova ishte vetëm e pesta, përkatësisht e parafundit, me 11 pikë. Para Kosovës në tabelë ishin edhe Zvicra, Izraeli e Bjellorusia. Kosova e la prapa vetëm Andorrën.