Edhe pse bëri sensacion duke e kualifikuar Malishevën për herë të parë në histori në garat evropiane, drejtuesit e klubit malishevas nuk e vazhduan bashkëpunimin me trajnerin Qëndrim Kida.
Kida ka zbuluar për herë të parë arsyet e largimit të tij nga skuadra e Malishevës.
Kida: Klubi nuk plotësoi kërkesat për lojtarë të rinj
“Është shumë e vërtetë, pritjet kanë qenë që ne të vazhdojmë duke i parë rezultatet, punën të cilën e kemi bërë edhe marrëdhëniet e mira që i kemi pasur me kryesinë, mirëpo në momentin që jemi kualifikuar në Evropë, kërkesat e mia për ta përgatitur ekipin për Evropë, transferet të cilat i kemi kërkuar klubi nuk ka mundur t’i ofrojë…Kam qenë i bindur që për garat e Evropës ne na duhet një konkurrencë më e madhe në ekip gjë e cila nuk ka mundur të ofrohet, kanë ofruar disa lojtarë që kanë qenë në plan të dytë ose për zhvillim të sezonit që është tani, mirëpo nuk kanë qenë lojtarët të cilët ne kemi mundur ta synojmë Evropën”, ka thënë Kida.
Ai pranon se kishte interesim për të vazhduar punën e tij si trajner i Malishevës, por jo edhe nga drejtuesit e klubit.
Kida: Isha i interesuar të vazhdoj me Malishevën
“Kemi negociuar dy- tri ditë, nuk kemi mund të arrijmë deri te një përafrim edhe pse unë isha shumë i interesuar për të vazhduar, mirëpo nuk kam parë një interesim nga ana e ndërsjellë, kështu që ka përfunduar me një shkëputje po besoj shumë njerëzore edhe shumë korrekte”, tha Kida.
Për të ardhmen, ish-trajneri i Malishevës thotë është në kontakte me disa klube, duke mos përmendur emra konkretë.
Kida: Kam kontakte me disa klube, do të marr vendimin e duhur
“Realisht, po përgatitem që në momentin kur të më jepet mundësia për ta udhëhequr një klub të jem sa më mirë. E kam një shprehje që ne trajnerët duhet të jemi në hap me kohën çdo ditë, të lexojmë e të mësojmë nga trajnerët çdo ditë në mënyrë që kur të jemi para ndeshjeve të kemi mundësi të performojmë sa më mirë…Ka interesim, kontakte, mirëpo nuk është korrekte t’i përmendi me emra, mirëpo po besoj që kam nevojë të pushoj edhe pak dhe ta bëjë zgjedhjen e duhur”, ka thënë Kida.
Nën urdhrat e tij shpërtheu edhe talenti Drilon Hazrollaj për të cilin Kida rekomandon që ai të transferohet në ndonjë klub jashtë Kosovës për të dëshmuar vlerat e tij.
Kida: Hazrollaj duhet të largohet nga Kosova për ta dëshmuar veten
“Kualiteti i Drilonit është në rritje e sipër. Ai ka mundësi të rritet shumë më tepër se sa është duke performuar tani dhe unë besoj që ai me kohë do ta tregojë veten dhe do të jetë një prej lojtarëve kryesorë ndoshta në të ardhmen edhe të kombëtares së Kosovës, mirëpo unë shpresoj që shumë shpejt ai të kalojë në një nivel tjetër për shkak se sa më gjatë të qëndrojë në Kosovë do të jetë pak më vështirë për shkak se unë besoj që i duhet sikur Albion Rrahmanit dhe të tjerëve një kalim në një rang më të lartë që ta shpërfaqë veten sa më mirë”, tha ai.
Ndryshe, vendin e Kidës te Malisheva e ka marrë trajneri Bekim Isufi i cili e ka nisur sezonin e ri me një fitore dhe një barazim.