Carlo Ancelotti doli në një konferencë për shtyp pas ndeshjes së fituar 2-0, ku skuadra e tij u shfaq më pozitive në krahasim me sfidën pararendëse.
Në pjesën e dytë, me dy golat e Mbappe, gjërat shkuan ku duhet për madrilenët. Trajneri italian u shfaq serioz, por i lumtur me fitoren 2-0 ndaj Real Betis në “Bernabeu”.
Ai ka reflektuar mbi ankthin dhe zhgënjimin e grumbulluar pas ndeshjeve të fundit, por ka theksuar edhe dëshirën e skuadrës për t’u përmirësuar.
Ancelotti analizoi performancën individuale dhe kolektive, duke trajtuar aspekte taktike, të tilla si pozicionimi i lojtarëve dhe rëndësia e bllokut mbrojtës, përveç komentimit mbi marrëdhëniet midis sulmuesve dhe implikimet e pushimit të afërt ndërkombëtar.
Mbi ankthin dhe zhgënjimin me ndeshjet e fundit: “Epo, kishim ankth dhe zhgënjim pas dy ndeshjeve, por edhe dëshirën për të bërë më mirë. Morëm 3 pikë dhe shkuam në pushimin ndërkombëtar me ndjenja të mira”.
Në presionin për golin e Mbappe: “Duhet ta pyesni atë, ne kurrë nuk i kemi bërë presion. Ai luajti një ndeshje të mirë dhe pati raste. Mendoj se është e rëndësishme për të të shënojë, por ne vlerësojmë më shumë punën kolektive”.
Rreth qasjes taktike: “Ne jemi përpjekur të luajmë me Vini dhe Rodrygo nga jashtë. Mbrojtësit e krahut zënë një pozicion më të brendshëm. Në nivel mbrojtës, me tre në mes, kemi qenë më solidë”.
Për ndjenjat e ndeshjes: “Pjesën e parë pata një ndjenjë të mirë, edhe pse ishte e vështirë për ne ta ndryshonim orientimin dhe të ishim të shpejtë. Më pas patëm një pjesë të dytë të mirë. Versioni ynë më i mirë do të vijë pak nga pak”.
Për penalltinë e “dhuruar” nga Vini te Mbappe: “Vini u tregua shumë altruist me dhënien e penalltisë Kylian. Ata kanë një marrëdhënie të mirë, edhe me Rodrygo.
Vini dhe Rodrigo janë lojtarë dhe njerëz shumë të mirë, me ta kemi fituar Champions League”.
Rreth zëvendësimeve: “Të gjithë lojtarët duhet të jenë gati, duhet të përgatiten dhe e kanë bërë këtë. Kur hynë në fushë, i dhanë shumë energji ekipit”.
Për pushimin prej ndeshjeve të kombëtareve: “Pushimi nuk është kurrë i mirë, sepse t’i merr lojtarët. Sidomos ata që fluturojnë në Amerikën e Jugut. Rreziku më i madh janë lëndimet. E vetmja gjë që kërkoj është që të gjithë të kthehen mirë”.