Arvanit Rexhaj është njëri ndër futbollistët me shumë potencial në futbollin kosovar.
19 vjeçari nga Prizreni e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e tij në Superligën e Kosovës, shkruan GazetaBlic Sport.
Golat e bukur, kontrolli i topit, duelet në ajër dhe pasimet e sakta kanë qenë disa nga veçoritë që e kanë dalluar edhe sa ishte në Ligën e Parë, por që tashmë të gjitha këto po dëshmohen edhe në nivelin elitar të futbollit tonë me skuadrën e Suharekës.
Ai ishte i jashtëzakonshëm në fitoren e skuadrës së Shpëtim Duros ndaj Gjilanit në fundjavën që shkoi, duke realizuar një asistim dhe duke shënuar golin e tre pikëve në sekondat e fundit të ndeshjes.
Me këtë paraqitje, Rexhaj i ka treguar edhe njëherë vlerat e mëdha që ka dhe ka dhënë një sinjal të qartë për të ardhmen e ndritur që e pret.
/GazetaBlic Sport/