Monday, 18. May 2026
Sport

FFK-ja me reagim pas incidentit në Ligën e Dytë

GS 10/09/2024 2 Min. Lesezeit

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka reaguar ashpër dhe ka dënuar fuqishëm incidentin që ndodhi gjatë ndeshjes ndërmjet Deçanit dhe Prizrenit në kuadër të Ligës së Dytë.

Ndeshja e luajtur të dielën në kuadër të xhiros së dytë nuk e gjeti fundin për shkak të dhunës dhe sjelljeve josportive që u shfaqën në fushë.

Rezultati ishte 1:0 në favor të Prizrenit, ndërsa ndeshja u ndërpre në minutën e 90-të si pasojë e sjelljeve josportive nga disa lojtarë të Deçanit dhe një lojtar i Prizrenit.

Sipas FFK-së, këto sjellje janë të papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me vlerat e futbollit, ndërsa shton se shqetësues ishte përshkallëzimi i situatës që pasoi, ku përleshja mes futbollistëve të fushë u përkeqësua me përfshirjen e personave civilë që sulmuan futbollistët prizrenas.

“FFK-ja nuk do të tolerojë dhunën në futboll në asnjë formë dhe kërkon që të gjithë personat e përfshirë në këtë incident të japin përgjegjësi. Njëkohësisht, FFK-ja kërkon nga komisionet e saj përkatëse që të ndërmarrin masa rigoroze ndaj të gjithë atyre që kanë shkelur rregullat e lojës dhe etikën sportive, konform rregulloreve në fuqi”, shkruan në FFK-ja në reagimin e saj.

Për fund, FFK-ja ka insistuar se incidentet e tilla nuk kanë vend në futbollin kosovar dhe se do të bëjnë të pamundurën për ti parandaluar ato në të ardhmen.

Teilen: