Ish futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Altin Rraklli është deklaruar para ndeshjes mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, Rraklli tha se ndeshja e sotme do të jetë shumë më ndryshe nga ndeshja ndaj Ukrainës dhe se Shqipëria duhet të jetë e kujdesshme në raport me kundër-sulmet e kombëtares kundërshtare.
“Na pret një ndeshje komplet tjetër nga ajo me Ukrainën. Gjeorgjia nuk ka ardhur rastësisht në këtë nivel, u dëshmua në Kampionatin Evropian. Në takimin e kaluar ndaj Ukrainës nuk e kishim presionin për të sulmuar, gjë që sonte kjo gjë ndryshon, sepse luajmë para tifozëve tanë dhe jemi të obliguar ta dominojmë kundërshtarin, por edhe të jemi të kujdesshëm nga kundërsulmet. Nëse do të jemi me ‘këmbë në tokë’, duke i shfrytëzuar rastet që na ofrohen dhe duke qenë të kujdesshëm në raport me kundërshtarin, mendoj se kemi forcë për ta fituar ndeshjen“, deklaroi Rraklli.
Kujtojmë që Kombëtarja jonë është pjesë e Grupit 1 të Ligës B. Përveç Ukrainës dhe Gjeorgjisë, Shqipëria ka në grup edhe kombëtaren e Republikës Çeke, të cilën e kishte edhe gjatë kualifikueseve të Euro 2024.
/GazetaBlic Sport/