Një bisedë në pushimin e ndeshjes ishte ajo që vendosi fitoren e Gjeorgjisë ndaj Shqipërisë. Të paktën kështu e mendon trajneri i Gjeorgjisë, Vili Sanjol, i cili pas ndeshjes së mbrëmshme ka theksuar se ekipi kishte bërë mirë pasi kishte korrigjuar gabimet e pjesës së parë.
“Mendoj se biseda që zhvilluam me lojtarët në pushimin e ndeshjes ishte vendimtare. Në pjesën e parë shumë gjëra nuk ishin mirë, por zhvilluam një bisedë të mirë me lojtarët. Ne u munduam që të korrigjonim gabimet tona dhe luajtëm në mënyrë më agresive në pjesën e dytë, e merituam fitoren.
Kvaratskhelia dëshironte të qëndronte në fushë sa më shumë të ishte e mundur. Kjo tregon atmosferën që ka në skuadër. Në 15-20 minutat e fundit u aktivizua Davitashvili dhe ai bëri shumë mirë. Tani na ndajnë 4 javë nga ndeshjet e tetorit dhe dëshiroj të ritakohemi pa dëmtime. Dëshira ime e vetme është që të kemi të njëjtën sjellje dhe atmosferë në ekip, vetëm në këtë mënyrë mund të jemi në gjendje të jemi përsëri të suksesshëm.
Lojtarët gjeorgjianë kanë mësuar shumë në Europian, ndeshja e sotme ishte shumë më e vështirë se sa ajo ndaj Çekisë. Pjesa e parë nuk ishte e mirë, por janë ndeshje të tilla që na mësojnë ne se çfarë duhet rregulluar”, tha Sanjol pas ndeshjes.
PANORAMASPORT.AL