Kryetari i Federatës së Notit të Kosovës (FNK), Agron Zeqiri, është pezulluar përkohësisht nga të gjitha aktivitetet sportive për shkak se dyshohet se e udhëhoqi një fushatë diskriminuese ndaj notarit kosovar Adell Shaboviq, njoftoi Federata Botërore e Sporteve të Ujit, e njohur si World Aquatics.
“Shefi i Etikës i Njësisë së Integritetit të Ujit (CECO), pasi analizoi dhe shqyrtoi të gjitha dokumentet relevante dhe në përputhje me nenin 21 të Kodit të Integritetit të World Aquatics, ka vendosur t’ju pezullojë përkohësisht, duke qenë se besimi i publikut në integritetin e sportit të ujit është në rrezik”, thuhet në njoftim.
Njësiti për Integritet i World Aquatics (CECO) e akuzon zyrtarisht Zeqirin për shkelje të kodit të integritetit dhe ka kërkuar që ai të pezullohet për katër vjet dhe të gjobitet me 25.000 euro.
Shaboviq, me prejardhje nga qyteti perëndimor i Kosovës, Peja, ishte përballur me kundërshtime në rrugën e tij drejt përfaqësimit të Kosovës në not në Lojërat Olimpike, Parisi 2024.
Por, pavarësisht se në dhjetor 2023 ishte pranuar si përfaqësues i Kosovës nga FNK-ja, Shaboviqi menjëherë hasi në pengesa për ta përfaqësuar vendin e prejardhjes.
Në një njoftim, CECO tha se federata e drejtuar nga Zeqiri nuk e lejoi Shaboviqin të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Notit në Doha në fillim të këtij viti, edhe pse ai kishte më së shumti pikë nga federata botërore.
Pas ankesës në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS) ndaj vendimit të FNK-së, Shaboviq dyshohet se u kërcënua me pezullim apo përjashtim nga federata kosovare, sipas CECO.
“Për më tepër, duket se kishte edhe tentime për ta penguar pjesëmarrjen e Shaboviqit në Lojërat Olimpike 2024 në Paris”, tha CECO.
“Në lidhje me këtë, ju dyshohet se thirrët konferencë për shtyp për ta kundërshtuar pjesëmarrjen e Shaboviqit në Paris 2024, për më tepër, duke ndikuar në opinionin publik. Në këtë kontekst, duket se atij i referoheshin edhe me fjalë diskriminuese si, ‘serb’ apo ‘rus’, duke iu referuar etnisë së tij”, tha CECO.
CECO e akuzoi Zeqirin se u përpoq t’i pengonte Shaboviqin dhe Hana Beiqin nga pjesëmarrja në Paris 2024, në përpjekje për t’i dërguar dy notarë të tjerë, Mal Gashin dhe Eda Zeqirin në vend të tyre.
World Aquatics i kishte dërguar email Komitetit Olimpik të Kosovës në qershor, duke i treguar se dy notarët me më së shumti pikë të grumbulluara janë Adell Shaboviq dhe Hana Beiqi dhe se ata do të merrnin ftesë për pjesëmarrje në Paris 2024.
Shaboviq dhe Hana e përfaqësuan Kosovën në Paris 2024 në fund.
Në lidhje me akuzën për pezullim me katër vjet dhe gjobë prej 25.000 eurosh, World Aquatics tha se Zeqiri ka kohë deri më 20 qershor për t’u përgjigjur, ose vendimi do të hyjë në fuqi.
Zeqiri mund ta pranojë akuzën dhe t’i pranojë pasojat dhe dënimin, apo ta pranojë akuzën dhe ta kundërshtojë atë në një organ gjyqësor, i cili do të vendoste për dënimin ndaj tij, thuhet në njoftim.
Ai mund gjithashtu ta mohojë akuzën dhe pastaj organi gjyqësor do të vendosë për dënimin dhe pasojat me të cilat duhet të përballet ai./REL