Trepça ka luajtur ndeshje të fortë, por megjithatë është eliminuar nga Liga e Kampionëve në basketboll.
Të premten në Antalya të Turqisë, Trepça u mposht nga Nymburku çek në gjysmëfinale të fazës kualifikuese. Skuadra çeke kaloi në finale të fazës kualifikuese me fitoren 84:78.
Numburku deri më tani është paraqitur rregullisht në stinorin e rregullt të Championsit, ndërsa për herë të parë ishte në kualifikime. Është favorit i madh i turneut të dytë kualifikues.
Trepça megjithatë ka luftuar deri në fund me skuadrën që dominon plotësisht basketbollin në Çeki.
Ndeshja ishte e hapur deri në aksionet e fundit.
Çerekun e parë Nymburku e fitoi 20:17, ndërsa çereku i dytë përfundoi 20:18 në të mirë të skuadrës çeke. Kështu dallimi pas pjesës së parë ishte pesë pikë.
Edhe çereku i tretë u fitua nga Nymburku, 21:19.
Në fakt në pjesën e dytë Trepça ishte vazhdimisht në kërkim të barazimit, që megjithatë nuk e arriti.
Samuel Hunter ishte më i miri te Trepça me 28 pikë e gjashtë kërcime. Dardan Kapiti i kishte 12 pikë e tetë kërcime, ndërsa Malik Johnson e përfundoi ndeshjen me 15 pikë e 11 asistime.
Trepça në çerekfinale e eliminoi kampionin qipriot, Keravnosin. U bë skuadra e parë kosovare që kaloi kundërshtar në kualifikimet e Championsit.
Tani kampionia kosovare vazhdon garimin në fazën grupore të FIBA Europe Cup, që është nivel më i ulët.