Muri që nisi të tundej në Xhenova dhe që gjeti baza të forta kundër Leçes, Atalantës dhe Sitit, ka nisur sërish që të kriset kundër Monzës dhe Milanit. Mbrojtja e Interit është duke shfaqur probleme të shumta në këtë sezon.
Vitin e kaluar ishte më e mira e sezonit me vetëm 22 gola të pësuar dhe titulli kampion u ndërtua edhe në këtë mënyrë. Por këtë vit duket krejtësisht tjetër gjë. Të godet shumë numri 5, i golave që kanë pësuar zikaltrit në ndeshjet e para të kampionatit. Vetëm në sezonin 2022-2023 bëri me keq, 8. Në sezonin e kaluar Interi në 5 ndeshjet e para pësoi vetëm një gol.
TË PASIGURT- Në bandën e të akuzuarve ka shumë personazhe. I pari është Henrik Mkitarian, i cili në rastin e golit të parë të Milanit u tregua i pavëmendshëm dhe topin ia rrëmbeu Pulisiç. Amerikani evitoi edhe Çalhanoglunë, Açerbin dhe Pavarin dhe pastaj befasoi Zomerin. Gabimi i dytë ishte i Fratezit, i cili nuk arriti të markonte siç duhet Gabian. Mbrojtësi i Milanit i kërceu përpara dhe goditi topin në rrjetën e Interit. Por përtej gabimeve individuale, ajo që ka goditur më shumë në aspektin negativ është mbrojtja në përgjithësi.
Reparti i fortë i zikaltërve u shndërrua në një pikë të dobët. Interi rrezikoi që të pësonte të paktën 3 gola në kundërsulm, kur skuadra ishte e zhbalancuar përpara. Leao dhe Okafor me shokë u ndalën nga Zomer. Fjala kyçe këtë herë është vuajtje. Interi doli zbuluar. Ishte tjetër gjë në krahasim me Sitin, ku mbrojtja arriti të fuste në kafaz gjigantin Haland. Lodhje fizike? Me shumë mundësi po. Edhe intensiteti.
SA GABIME- Në ndeshjen e parë kishte disa pasiguri të portierit Zomer, që në derbi ishte më i miri dhe pastaj Bisek që shkaktoi penallti. Në Monza, ishte një eurogol i Dani Motës, edhe pse gabimi i Pavarit në markim është i rëndë. Ai që në vitin e kaluar ishte një nga më të mirët, këtë vit ka vështirësi. Nuk po ndërton dot aksionet në krahun e tij. E ka të vështirë që të shtyjë, por edhe kur e bën lë shumë hapësira mbrapa.
Të dielën ishte lojtari që gaboi më shumë topa, 8. Kjo për meritë edhe të formacionit të zbritur nga Fonseka. Për të ndalur Dumfrisin u impenjuan 3 lojtarë: Teo, Leao dhe Reijnders. Në anën tjetër ishin Emerson, Fofana dhe Pulisiç. Objektivi ishte që të mos linin Interin të ndërtonte aksionet. Misioni u krye me sukses. Fonseka ka fituar edhe kështu.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL