Golden Eagle Ylli ka pësuar humbjen e dytë rresht brenda pak ditëve.
Pas disfatës nga Trepça në mesjavë, skuadra nga Suhareka pësoi edhe të dielën nga Sigal Prishtina në kuadër të xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Në duelin e luajtur në palestrën “18 Qershori” në Suharekë, Sigal Prishtina triumfoi me shifrat 86:67.
Për Prishtinën, kjo është fitorja e dytë në tri ndeshje të luajtura dhe ka mbledhur 5 pikë, një më shumë se Ylli që e ka vetëm një fitore deri më tani.
Prishtina dallimin në këtë përballje e bëri në çerekun e parë dhe dy periudhat e fundit, në të cilat ishte dukshëm më e mirë se Ylli, ekip që e fitoi vetëm dhjetëminutëshin e dytë (28:16).
Epërsia e krijuar e Prishtinës ishte e mjaftueshme për basketbollistët e trajnerit Murat Bilge për të triumfuar bindshëm në Suharekë.
Hiq më pak se pesë basketbollistë të Prishtinës e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore, ku më i dalluari ishte Damiree Burns me “double-double” prej 16 pikëve e 17 kërcimeve.
Lojë të mirë te Prishtina treguan edhe Rashad Williams (22), Josh Nzeakor (18), Jalen Moore (16) e Daniel Lekndrejaj (12).
Te Ylli edhe në këtë ndeshje më efikasi ishte Terrell Brown me 21 pikë të realizuara por që nuk mjaftuan për të evituar humbjen e dytë rresht këtë sezon.