Ish-mbrojtësi i majtë legjendar i Realit të Madridit, Roberto Karlos, ka analizuar derbin e Madridit të së dielës në një event ku ishte i ftuar.
Ish-lojtari i Realit nuk ka kursyer kritikat për ngjarjet e shëmtuara të ndodhura në “Metropolitano”.
“Ajo që më shqetëson më shumë është imazhi i futbollit spanjoll. Do të presim që Federata të marrë vendimet e nevojshme që të mos ndodhë më ndërprerja e një ndeshjeje për 20 minuta. Unë kam jetuar në Spanjë për shumë vite dhe kjo nuk mund të ndodhë. Ishte turp, që duhet ta rregullojmë”, deklaroi Roberto Karlos.
Braziliani ka komentuar dhe për praninë në shkallët e stadiumit të tifozëve me kapuça, që kanë bërë xhiron e botës.
“Ishte shumë e shëmtuar, shumë e trishtuar të shihje ato pamje. Unë kam shumë dashuri për tifozët e Atltikos, por ajo që ndodhi në derbi nuk është normale. Imazhi është brutal. Unë mendoj se e kam parë atë në Meksikë. Duke parë një imazh të njerëzve me kapuç më bën përshtypje”, shtoi ai.
Roberto Karlos ka komentuar edhe atë çfarë po ndodh rreth bashkëkombësit të tij, Vinicius Zhunior.
“Vini duhet të jetë më i qetë, po punojmë shumë për këtë gjë. Ai e di që është shumë afër të bëhet më i miri në botë. Ai ka luajtur shkëlqyeshëm në sezonin e kaluar dhe këtë vit ne po përpiqemi ta bëjmë atë më të qetë me tribunat, sepse ‘Topi i Artë’ është atje. Jam shumë i sigurt se ai do të do ta fitojë”, the Roberto Karlos.