Laçi nuk ka fuqi ta ngrejë kokën edhe pas largimit të Armando Cungut. Skuadra kurbinase, pësoi humbjen e tretë radhazi dhe të pestën në total në kampionat pikërisht në javën e shtatë të Kategorisë Superiore.
Fatin për t’u ndeshur me Laçin e kishte Dinamo, që iu imponua këtij kundërshtari me rezultatin 2-1 në takimin e luajtur në “Elbasan Arena”.
Blutë e kryeqytetit realizuan nga një gol në çdo pjesë dhe fakti që nuk shënuan më shumë është për meritë të portierit Dajsinani.
Goli i parë mban firmën e Itodos në minutën e 22-të, për të ardhur më pas te goli i Zabërgjës në minutën e 55-të.
Në kohën shtesë Laçi fitoi një 11-metërsh, por pas verifikimit të pamjeve në sistemin VAR kryesori vendosi për goditje këndi.
Gjithsesi, në minutën e 9-të shtesë kurbinasit shkurtuan diferencën në 2-1, po pa shmangur humbjen.
Dinamo me këtë fitore ngjitet e para me 14 pikë, një më shumë se Vllaznia, që luan me Elbasanin në “Loro Boriçi”.