Erik Ten Hag mund të përfitojë dëmshpërblimin e dytë më të madh të kompensimit të një trajneri të Mançester Junajtid në epokën pas Sër Aleks Fergusonit. 54-vjeçari, mund të ketë drejtuar ndeshjen e tij të fundit si trajner i “Djajve të kuq” pas transfertës me Aston Vilën të dielën.
Pas humbjes 3-0 kundër Totenhemit javën e kaluar, u raportua gjerësisht se Ten Hagut iu dhanë dy ndeshje për të shpëtuar stolin e tij. E para nga këto ndeshje ultimatumi përfundoi në barazim 3-3 me Porton, ndërsa e dyta në “Villa Park” përfundoi gjithashtu në një barazim 0-0. Shefat e klubit, duke përfshirë bashkëpronarin Xhoel Glejzër dhe shefin e “Ineos” Sër Xhim Retklif, mbajtën një takim në Londër ditën e djeshme. Dhe ndërsa nuk është e qartë nëse situata menaxheriale është në rendin e ditës, një vendim mund të merret gjatë pushimit ndërkombëtar.
Megjithatë, pasi ata i dhanë holandezit një kontratë të re njëvjeçare për ta zgjatur bashkëpunimin me të deri në 2025/26, tani është zbuluar se sa mund të fitonte ai si paketë kompensimi. Sipas “Goal”, ish-trajneri i Ajaksit do të fitojë 17.5 milionë paund nëse Junajtid i tregon derën, rreth gjysma e shifrës së kursyer nga ai pasi shkarkoi 250 anëtarë të stafit. Kjo kuptohet të jetë 7.5 milionë paund më shumë se 10 milionë sterlinat që do t’i kushtonte klubit për të ndërprerë kontratën e tij në verë, para se t’i ofrohej rinovimi. Kjo është gjithashtu një shifër që do të renditej si e dyta më e larta në mesin e trajnerëve të “Djajve të Kuq” në epokën pas Fergusonit.
Këtë “privilegj” e mban Zhoze Murinjo, i cili thuhet se u shpërblye me 19.6 milionë paund kur u shkarkua në dhjetor 2018. Ole Gunar Solskjaer, menaxheri që zëvendësoi Murijon dhe trajneri më jetëgjatë në “Old Trafford” që nga Fergusoni, u pagua me 7.5 milionë paund. Ralf Rangnik, i cili paralajmëroi se klubi kishte nevojë për një “operacion në zemër të hapur” në vitin 2022, fitoi më shumë para për kohën e tij në klub, duke grumbulluar 15 milionë paund pas gjashtë muajve të tij në drejtimin e përkohshëm të ekipit. Luis van Gal u pagua me 8.4 milionë paund pas largimit nga Junajtid, ndërsa Dejvid Mojes 5 milionë paund. Këto shifra e çojnë shumën totale të pagesave që klubi ka bërë në dekadën e fundit për paketat e kompensimit të menaxherëve në 73 milionë sterlina.PANORAMASPORT.AL