Trajneri i Sportingut, Ruben Amorim, është i interesuar të pasojë Pep Guardiolën si trajner i Manchester Cityt. Kontrata e Guardiolës me Cityn skadon në fund të sezonit dhe ende nuk dihet nëse ai do të vazhdojë punën e tij në “Etihad”. Ndërsa raportet e fundit thonë se ai pritet të nënshkruajë një marrëveshje njëvjeçare , City po planifikon një të ardhme pa trajnerin e tyre ikonë, raportojnë mediat portugeze.
City e sheh Amorimin si një trajner të aftë për të vazhduar trashëgiminë e Guardiolës, dhe trajneri portugez thuhet se është jashtëzakonisht i interesuar të marrë përsipër këtë sfidë. Amorim ishte i lidhur më parë me Liverpoolin pasi Jurgen Klopp njoftoi largimin e tij sezonin e kaluar.
City së fundmi konfirmoi se drejtori Txiki Begiristain së shpejti do të zëvendësohet nga Hugo Viana, i cili lë rolin e tij si drejtor i futbollit i Sporting CP për t’iu bashkuar skuadrës angleze. Viana dhe Amorim kanë punuar së bashku në Lisbonë për katër vjet, përcjellë KosovaPress.
Amorim e ka udhëhequr Sportingun drejt dy titujve të Primeira Liga si trajner dhe është gati të sigurojë një tjetër kurorë përpara largimit të tij të mundshëm për një aventurë të re.