Nikolo Barela në një rrëfim ndryshe. Mesfushori i Interit tregon pasionet e tij jashtë fushës së lojës, jetën e përkushtuar si babai i katër fëmijëve dhe ndryshimet që ka pësuar nga adoleshenca.
Kampioni i Italisë ka rrëfyer gjithashtu dashurinë që ka për futbollin edhe pse ndonjëherë me grumbullimet e shumta si me kombëtaren dhe Interin është e vështirë të qëndrosh larg familjes. Nikolo është më i pjekur dhe më i kujdesshëm në çdo veprim që bën, si në fushë ashtu edhe jashtë saj.
Ju keni 4 fëmijë. Çfarë tipi babai jeni?
Më pëlqen të jem baba. Është një zgjedhje që kam bërë shumë i ri. Unë jam rritur në një familje me shumë njerëz, edhe pse kam vetëm një motër. Por kushërinjtë dhe të gjithë kanë pasur fëmijë. Kur takova bashkëshorten vendosëm që të ndërmerrnim këtë hap sepse isha i sigurt.
Të pëlqen kuzhina?
Po. Më pëlqen që të vizitoj restorantet. Në fillim lindi pasioni për verën dhe pastaj për kuzhinën. Përpiqem që të kopjoj, por nuk di të gatuaj shumë mirë.
Lojtarët shihen si mite nga të tjerët. Si është dita juaj?
Unë nuk mund të zgjohem në orën 11. Duhet që të dërgoj fëmijët në shkollë. Zgjohem në orën 7 e gjysmë, ha mëngjes dhe pastaj me fëmijët. Pastaj nis stërvitjen dhe drekoj aty me skuadrën pastaj rikthehem në shtëpi. Në orën 3 marr fëmijët dhe i çoj në kurse të ndryshme sporti. Pas darkës qëndroj me bashkëshorten. Është një ditë impenjative, por e bëj me kënaqësi.
Ju keni nisur të luani futboll në moshën 3-vjeçare në shkollën e Xhixhi Rivës.
Futbolli është pasioni më i madh për mua. Unë e shoh si lojë dhe jo si punë. Ka disa gjëra që janë të tepërta në këtë botë si kritikat, rrjetet sociale. Ndoshta sjellin edhe probleme në shtëpi. Kur isha i vogël nuk mendoja që do të kishte kaq shumë situata futbolli.
Çfarë kujtimesh ke nga Barela si fëmijë?
Sakrificat që bënin prindërit e mi. Por unë nuk kisha shumë telashe, madje argëtohesha pafund. Mund t’i them faleminderit futbollit për gjithçka. Kur u grumbullova në kombëtare mendova që aty shkojnë më të mirët. Pas kalimit nga të rinjtë me ekipin e madh mendoja se nuk isha gati, por duhet të punoja mendërisht. Nuk mendoja kurrë që do të luaja me Interin apo me kombëtaren. Dhe një ditë e pashë veten duke qenë përkrah idhujve të mi.
Si e sheh veten në krahasim me fillimin e karrierës?
Kam ndryshuar shumë. Më pëlqente të bëja “luftë” në fushë, të zihesha dhe të krijoja polemika. Tani jam më i qetë edhe në interpretimin e ndeshjeve. Të qëndroj shumë kohë me fëmijët e mi më ka mësuar që në jetë ka probleme më të mëdha sesa futbolli.
Kur arrin të luash një finale Champions-i, mendon që futbolli është thjesht një lojë?
Është e vështirë sepse pavarësisht të gjithave, futbolli është fantastik. Aty është momenti për të treguar se je i fortë. Interi dhe kombëtarja janë të fortë. Është adrenalina shumë e madhe që të jep “San Siro” apo himni i kombëtares. Aty shndërrohet në një sfidë me kundërshtarin.
Pas derbit të fituar të titullit kampion ju shkuat të takonit lojtarët e Milanit.
Pak kishin ngelur në fushë. E ndjeva që t’u jepja dorën, por e bënë edhe disa të tjerë nga Interi. Unë i takova sepse e di shumë mirë çfarë do të thotë të humbasësh në futboll.
Çfarë detajesh nuk kuptojnë tifozët nga jeta e lojtarit?
Janë shumë gjëra që një tifoz nuk ka si t’i dijë. Askush nuk futet në fushë për të bërë keq. Ndoshta ke pasur një problem gjatë javës, të natyrës fizike apo në familje. Nëse tifozi thotë që duhet të bësh mirë dhe të fitosh ndeshjen sepse vlen 100 milionë euro, atëherë më mirë të shohin tenis. Futbolli është lojë në grup dhe jo individuale. Kritikat bëjnë mirë, por nuk e kuptoj faktin që përfshihet edhe familja në atë situatë.
Mendon se pasioni për futbollin është në rënie?
Po. Në fakt nuk është se ikën pasioni për futbollin, por bëhet shumë e vështirë që të jesh në grumbullim, të bësh stërvitje dhe vrap. Kam qenë disi i shqetësuar për këtë fakt në të shkuarën, por vazhdoj të jem ende i pasionuar.
Keni një kujtim të bukur nga një ndeshje?
Pyetje e vështirë. Goli ndaj Napolit ishte shumë i rëndësishëm sepse erdhi në një moment delikat. Por dua të kujtoj shumë momente të tjera të bukura, si finalja e Kupës së Italisë të fituar ndaj Juves. Shënova gol pas 5 minutash dhe mendova se përfundoi sepse ishim skuadër e fortë. Pastaj pësuam 2 gola dhe po pyesja veten: Çfarë po ndodh. Por pastaj kuptova forcën mentale të kampionëve në skuadër dhe e fituam ndeshjen.
Kur bërtet trajneri gjatë ndeshjes e dëgjoni?
Po, po. Është e vështirë që ta dëgjosh mes 80 mijë personave, por nëse je i përqendruar e dëgjon. Një trajner e lexon mirë ndeshjen nga jashtë, por ndonjëherë sillet edhe në mënyrë instiktive. Në fushë pastaj është lojtari që merr vendimet. Një ndeshje e ndryshon vetëm në pushim sepse me të bërtiturat gjatë lojës është e vështirë.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL