Ku ka përfunduar Marco Verratti në moshën 31-vjeçare? A ka mundësi që një futbollist i këtij niveli, ende relativisht i ri dhe me shëndet të plotë, një shtyllë e kampionëve evropianë të Italisë vetëm tre vjet më parë, të jetë në harresë totale, deri në pikën që lajmet për të janë praktikisht inekzistente?
Vetë mesfushori i Pescara-s ndoshta e dinte tashmë përgjigjen kur, pak më shumë se një vit më parë, pranoi ofertën nga Al Arabi, një klub në ligën e Katarit.
Verratti e dinte mirë se nëse do të luante në Katar Stars League do të ishte plotësisht jashtë radarit të futbollit elitar botëror, duke eliminuar “de facto” mundësinë që Luciano Spalletti ta thërriste në kombëtare.
Në këtë kampionat me nivel të ulët, i varfër në ‘yje’, ndryshe nga Liga Pro Saudite, Al Arabi nuk është as një nga skuadrat kryesore. Sezonin e kaluar, i pari i Verrattit në Doha, skuadra u rendit e pesta, 20 pikë prapa kampionit Al Sadd.
Gjërat po shkojnë edhe më keq në fillimin e turneut aktual, me një vend të tretë nga fundi pas 7 javëve të para me vetëm 7 pikë (një fitore, 4 barazime, 3 humbje).
Verratti është pa dyshim një lojtar që luan rregullisht, i paprekshëm për trajnerin Younes Ali. Ai nuk ka humbur asnjë minutë në kampionat deri më tani, duke shënuar një gol dhe dhënë dy asistime, ndërsa ka marrë pushim në dy nga katër ndeshjet e Kupës që janë luajtur.
Stadiume me pak spektatorë, akoma më pak stres, dhe mbi të gjitha shumë e shumë para të paguara në llogarinë e tij bankare çdo muaj.
Verrati vendosi bashkë me bashkëshorten e tij (modelja franceze Jessica Aidi) të largohej nga PSG-ja, që kishte nisur një fushatë spastrimi yjesh. 30 milionë euro neto në sezon dhe kontratë dyvjeçare me Al Arabin, Verrati zgjodhi paratë në këtë fazë të karrierës së tij, kur mund të ishte ende një mesfushor virtuoz në një kampionat elitar evropian.