Quajeni njeriu që ndal bomberat. Ardian Ismajli është duke kaluar momentin më të mirë të karrierës së tij dhe me Empolin po shkëlqen nga java në javë.
Lista e sulmuesve të mëdhenj që po ndalen prej mbrojtësit të Kombëtares shqiptare po shtohet. Ai ia ka dalë në mënyrë fantastike që t’i bllokojë dhe të mos i lërë të dalin në lojën e tyre, madje të mos shënojnë. Ismajli, që në Kombëtaren kuqezi u thirr nga Kristian Panuçi ka arritur që të bllokojë gjigantin Dovbik. Në javën pasardhëse ia doli që të ndalte Kastron që po shkëlqente. Por edhe ai ra në rrjetën e mbrojtësit kuqezi.
Një nga provat më të mira dhe të suksesshme të Ismajlit ka ardhur në javën e katërt kur arriti që të neutralizonte edhe sulmuesin e Juventusit Dushan Vlahoviçin. Një paraqitje e një niveli të lartë që në fakt ka tërhequr vëmendjen e Juventusit dhe skuadrës së Interit. Këta të fundit janë duke e ndjekur edhe në ndeshjet që zhvillon me kombëtaren shqiptare. Në Parma ka pasur gjithashtu vëzhgues. Edhe në “Tardini” ai ia doli që të fitonte duelin me Bonin, një nga më të rrezikshmit.
Kundër Ismajlit nuk mund të kalosh. Për informacione të shumta pyesni Moise Kenin dhe Kastejanosin e Lacios. Edhe ata kanë kaluar fundjava të vështira përballë numrit 34 dhe nuk e kanë gjetur dot rrugën e rrjetës. Edhe javën e kaluar kjo i ndodhi Lukakut. Napoli i Kontes arriti që të fitonte falë një penalltie dhe “Big Rom” u zhduk nga ndeshja falë performancës së jashtëzakonshme të Ismajlit. Reagues dhe i fortë në ajër, praktikisht një mur.
Ditën e sotme ka një tjetër provë zjarri përballë lojtarit më të mirë të vitit të kaluar si Lautaro Martinez dhe ndoshta Markus Turamit. Një tjetër sfidë ku Ismajli kërkon të tregojë veten. Nëse arrin të ndalë edhe dyshen zikaltër, atëherë Marota ose Juventusi duhet që të nxjerrin milionat për ta marrë që në janar. Do të ketë një derbi Italie mes dy skuadrave që duan patjetër të forcojnë repartin e prapavijës dhe Ismajli e njeh mirë kampionatin italian. Ka disa vite dhe ka fituar eksperiencën e duhur.
PANORAMASPORT.AL