Me dy ndeshjet e luajtura të enjten, ka përfunduar xhiroja e 11-të e Superligës së Kosovës në futboll.
Derbi i ditës i luajtur në Gjilan ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, ka përfunduar me fitoren e thellë të ekipit vendas me rezultatin 3:0.
Ndërkohë, dueli tjetër, ai mes Ferizajt dhe Malishevës ka përfunduar 1:1, ani pse vendasit ishin me një lojtar më pak për më shumë se 30-të minuta pas përjashtimit të Edon Sadriut.
Drita dominoi tërësisht ndaj Prishtinës për t’u kthyer te fitorja në Superligë pas tri barazimeve rresht dhe me 18 pikë të mbledhura është ngjitur në pozitën e tretë.
Në anën tjetër, Prishtina regjistroi humbjen e dytë rresht dhe ka rënë në pozitën e pestë në tabelë me 16 pikë të tubuara.
Brenda dy minutave, Drita shënoi dy gola në pjesën e parë. Fillimisht, Besnik Krasniqi realizoi nga penalltia në minutën e 22-të, përpara se Albert Dabiqaj tya dyfishoj epërsinë dy minuta më vonë.
Dabiqaj realizoi edhe golin e tij të dytë personal në minutën e 88-të për ta vulosur rezultatin e këtij takimi.
Ferizaj me pikën e fituar kundër Malishevës ka vazhduar serinë e rezultateve pozitive pasi në katër ndeshjet e fundit ka tri fitore e një barazim.
Në minutën e parë të kohës shtesë, Malisheva kaloi në epërsi me anë të Drilon Hazrollajt por Ferizaj barazoi shifrat dhjetë minuta më vonë nga penalltia, të cilën e konvertoi në gol Albion Kurtaj.
Me 14 pikë të mbledhura, Ferizaj ngrihet në pozitën e shtatë në tabelë kurse Malisheva që luajti pa gola edhe xhiron e shkuar mbetet e dyta në tabelë me 19 pikë, sa i ka edhe Ballkani që është lider.