Bylisi merr rezultatin e dytë pozitiv në Superiore dhe këtë e bën në ‘kurriz’ të Dinamos. Pas fitores së thellë 4-0 përballë Teutës në “Adush Muça”, ekipi ballshiot i mori pikë Dinamos në “Elbasan Arena” në një ndeshje të luftuar, me raste e gola, por që nuk nxori fitues.
Pjesa e parë, në fakt, u mbyll me rrjeta të paprekura, edhe pse mundësitë për shënim në portat respektive nuk munguan.
Rasti më i pastër ishte i Malomos në minutën e 14-të, por finalizimi i tij përballë portierit Teqja la për të dëshiruar.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 52-të, kur topi i goditur nga Përgjoni u kthye nga shtylla dhe përfundoi në këmbët e Malomos, që nuk hezitoi duke e dërguar topin në rrjetë.
Rreth çerek ore më vonë, Dinamo u kundërpërgjigj em Mandelan, që e dërgoi me kokë topin në rrjetë në zhvillimin e një goditjeje këndi.
Asnjëra skuadër nuk u pajtua me barazimin, me rrezikun që zhvendosej nga njëra portë në tjetrën, por rezultati nuk ndryshoi më.
Dinamo me këtë barazim humb terren ndaj Partizanit kryesues dhe Vllaznisë, ndërsa Bylisit, më shumë se për renditjen pika i vlen për moral në ndeshjet në vazhdim.
E çon në katër numrin e barazimeve radhazi Elbasani, që në këtë javë të 10 u nda në paqe me Teutën në “Niko Dovana” me rezultatin e bardhë 0-0.