Situata gati apokaliptike në Komunitetin Valencian (Comunidad Valenciana) për shkak të stuhisë “DANA” vazhdon ende. Pasi ka lënë Valencian dhe rrethinat e saj, ajo i është drejtuar qytetit të Kastejon de la Plana.
Kjo është arsyeja që La Liga, me kërkesë të klubeve dhe Federatës Spanjolle të Futbollit, ka vendosur shtyrjen e ndeshjeve të javës së 12- të të La Liga dhe ndeshjet e Segunda Division që duhej të luheshin në stadiumet e Komunitetit Valencian në fundjavë.
Në këtë mënyrë ajo që pritej është konfirmuar, me takimin mes Valencias dhe Realit të Madridit e parashikuar për nesër në mbrëmje që nuk do të luhet, me dy klubet, ligën spanjolle dhe federatën që do të duhet të gjejnë një datë tjetër për zhvillimin e takimit. Ajo mes Valencias dhe Realit të Madridit nuk është e vetmja ndeshje në Komunitetin Valencian që nuk do të luhet në fundjavë.
Gjithashtu, po me vendim të klubeve dhe federatës spanjolle nuk do të luhet as takimi tjetër mes Vijarrealit (ndodhet mes Valencias dhe Kastejonit) dhe Rajo Valekanos. Sipas vendimit të marrë janë pesë ndeshje gjithsej të parashikuara për t’u luajtur në këtë rajon në fundjavë që janë shtyrë. Gjithashtu, është dekretuar që në ndeshjet e La Liga-s dhe Segunda Division që do të luhen këtë fundjavë, do të mbahet një minutë heshtje në kujtim të viktimave të “DANA”-s.
Kështu, plotësohet kërkesa që disa prej klubeve i dërguan dje Federatës dhe Shoqatës së Punëdhënësve të Futbollit Spanjoll për të shqyrtuar shtyrjen e ndeshjeve në fjalë, duke respektuar kështu edhe njoftimin e “Generalitat Valenciana” (Qeverisë së rajonit autonom të Valencias) ku nga dje u vendos tre ditë zie në nder të viktimave. Siç thuhet në deklaratën e La Liga-s, klubet, ndeshjet e të cilëve janë shtyrë duhet të bien dakord brenda 5 nëntorit për caktimin e një date të re për zhvillimin e takimit.
Por, sipas mediave spanjolle, këtu kanë nisur të lindin dhe problemet e para. Presidenti i Ligës, Havier Tebas ka bërë me dije se nuk ka problem për të gjetur data të lira. Por në fakt ka jo pak pengesa, nisur dhe nga kalendari i ngjeshur në pjesën e dytë të sezonit. Mediat spanjolle nga ana e tyre kanë bërë me dije se nuk përjashtohet që takimi i prapambetur mes Valencias dhe Realit të Madridit të zhvillohet diku nga fundi i majit 2025 mes 20 dhe 21 majit. Por një gjë e tillë pritet të konfirmohet.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL