Askush nuk e harron faktin që në fundjavë do të luhen ndeshjet Napoli-Atalanta dhe Inter-Venecia. Të kaltrit në letër kanë një sfidë më të vështirë dhe kjo është evidente. Frenimi i Juventusit ditën e mërkurë la vetëm skuadrën e Interit në ndjekje të skuadrës së Antonio Kontes.
Dhe sytë e kampionatit janë te 10 nëntori, kur në orën 20:45 në “San Siro” skuadra e Antonio Kontes do të vizitojë atë të Simone Inzagit për një Inter-Napoli që ka realisht shijen e titullit kampion.
PRECEDENTËT- Janë katër precedentët e mëparshëm mes dy trajnerëve, të gjitha në Serinë A dhe kanë të bëjnë me sezonin 2019- 2020 dhe 2020-2021 kur Antonio Konte ishte trajner i Interit dhe sezonin e tij të dytë fitoi titullin kampion. Inzagi në atë kohë ishte pjesë e Lacios. Bilanci i buzëqesh trajnerit aktual të Napolit edhe pse shumë i ngushtë. Bëhet fjalë për 2 fitore, 1 barazim dhe 1 fitore për Inzagin. Konte ka shënuar 6 gola dhe ka pësuar 4.
Në sezonin 2019-2020 kishte një ekuilibër total mes të dyja skuadrave dhe dy trajnerëve. Në “San Siro” fituan zikaltrit me golin e D’Ambrozios, ndërsa në “Olimpico” përfundoi 2-1 për Lacion me golat e Imobiles dhe MilinkoviçSaviç. Ndërkohë, për Interin shënoi Jang. Vitin e ardhshëm në Romë skuadrat barazuan 1-1 në javën e tretë me golat e Lautaros dhe Milinkoviç, ndërsa në kthim Interi fitoi 3-1 me dopietën e Lautaros dhe golin e Lukakut. Për Lacion si gjithmonë Milinkoviç-Saviç.
DUELI- Tani dy trajnerët kanë skuadra të ndryshme, por Antonio Konte vazhdon të ketë ende Lukakun dhe Inzagi e di mirë çfarë do të thotë të fitosh një kampionat, si ai i sezonit të kaluar me Interin. Zikaltrit në mesjavë do të kenë impenjim në Champions, ndërsa Napoli do të ketë vetëm disavantazhin e të luajturit në transfertë.
Në rast se nuk do të ketë rrëshqitje të këmbës në këtë fundjavë, distanca mes skuadrave do të jetë 4 pikë dhe në teori Konte mund të luajë edhe për barazimin. Por jemi vetëm në nëntor, megjithatë ky duel mund të vazhdojë gjatë për titullin kampion.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL