Barcelona po bëhet gati për një tjetër fundjavë të nxehtë në La Liga. Pasi fitoi me “dhunë” “El Clasico”-n e parë të sezonit në “Bernabeu” (0-4), katalanasit do të kthehen nesër pasdite në fushë me derbin kundër Espanjolit.Takimi do të luhet në “Montjuiç”, në një stadium të njohur nga skuadra bardheblu, sepse ka qenë shtëpia e tyre midis viteve 1997 dhe 2009. Barça arrin në një moment fantastik pasi e mbylli muajin tetor me një total fitoresh (5), ndërsa Espanjoli i ardhur nga kategoria e dytë nuk po kalon momentin më të mirë. Hansi Flik ka vendosur të bëjë disa rotacione në skuadër për t’u dhënë pushim lojtarëve me këmbët më të ngarkuara dhe lojtarët që ende nuk e dinë se çfarë është të përjetosh një derbi mund të kenë mundësinë të hyjnë në njëmbëdhjetëshen titullare.
Në fakt, pjesa më e madhe e skuadrës aktuale të Barcelonës nuk është përballur kurrë me Espanjolin në një ndeshje të elitës. Logjikisht, të trajnuarit në “La Masia” e kanë bërë këtë në kategori më të ulëta. Dhe për të gjithë ata është një ndeshje shumë e veçantë. Nëse analizojmë me rreshta, asnjë nga tre portierët që zakonisht thërret trajneri gjerman nuk ka luajtur në derbi. As Injaki Penja, sigurisht as i sapoardhuri Shezni, as i riu Kohen.
Në mbrojtje, dyshja e qendërmbrojtësve Kubarsi dhe Injigo Martinez do të debutojnë kundër bardhebluve. Mbrojtësit Hektor Fort, Gerard Martín dhe Serxhi Domingez janë të tjerë lojtarë të Barcelonës që nuk kanë luajtur një ndeshje të këtyre përmasave. Në qendër të fushës, nënshkrimi i madh i Barcelonës për këtë sezon, Dani Olmo, nuk ka luajtur asnjëherë në derbi dhe synon të debutojë të dielën dhe të jetë madje titullar i kthyer pas dëmtimit.
As Pablo Torre, i cili, , ishte në stol ditën që Barça e Ksavit fitoi titullin në La Liga në “Cornellá” (stadiumi ku luan ndeshjet e veta Espanjoli), as Mark Kasado dhe Fermin Lopez. Nga treshja fillestare përpara, vetëm Lamin Jamal nuk është përballur me Espanjolin. Pau Viktor është sulmuesi tjetër që mund të debutojë në një derbi. Për ndeshjen ndaj rivalëve të qytetit, trajnerit Flik me shumë mundësi do t’i duhet të bëjë pa shërbimet e mesfushorit Erik Garsia që ende ka probleme fizike.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL