Atalanta surprizon Napolin në ndeshjen e drekës në Serinë A, duke mposhtur 3-0 në “Maradona” kryesuesit e kampionatit italian.
Kjo ishte fitorja e pestë radhazi në kampionat për skuadrën e Gasperinit, që tashmë e sheh veten në vendin e dytë në renditje, vetëm tre pikë larg skuadrës së Kontes.
Protagonisti i sfidës ka qenë Lookman me një dygolësh në pjesën e parë, ndërsa i zakonshmi Retegui shënon golin e tretë, që vulos fatin e takimit, në minutat shtesë të ndeshjes.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare si gjithmonë ka qenë titullar për skuadrën zikaltër dhe ka bërë një paraqitje shumë të mirë në transfertën kundër kryesuesve të Napolit.