Monday, 31. August 2026
Sport

Donnarumma ‘në rreth të kuq’, në Francë nuk e shohin më të paprekshëm

GS 07/11/2024 2 Min. Lesezeit

Pas humbjes së PSG-së në Ligën e Kampionëve kundër Atleticos së Madridit, performanca e Gianluigi Donnarumma përfundoi në qendër të kritikave.

Në mënyrë të veçantë gazeta franceze “L’Equipe” vuri në pah gabimin e Donnarummas në golin e dytë të kundërshtarëve, të shënuar nga Correa në momentet e fundit të ndeshjes.

Duke mos e konsideruar si një gabim të rëndë teknik, gazeta i atribuoi portierit një reagim të dobët, duke nënvizuar se Donnarumma mund të kishte bërë më shumë për të shmangur golin.

“Teknikisht nuk është një paraqitje e rëndë, por me siguri mund të kishte bërë më shumë. Është i ngadalshëm për të zbritur dhe dora nuk është e qëndrueshme” është pjesa e gjykimit të publikuar për portierin italian.

Kritikat e përditshmes franceze gjejnë terren pjellor falë dyshimeve të shprehura tashmë nga trajneri i PSG-së, Luis Enrique, i cili ditët e mëparshme kishte deklaruar mungesën e një hierarkie fikse mes portierëve të skuadrës, duke sugjeruar që Donnarumma nuk ishte titullari i padiskutueshëm.

Megjithatë, trajneri spanjoll vendosi ta aktivizonte Donnarumman kundër Atleticos.

Prandaj, çështja e titullarit të portës te PSG duket e destinuar të mbetet e hapur, me shfaqje si ajo e së mërkurës që nxisin më tej debatet mbi hierarkinë midis shtyllave.

 

 

Teilen: