Pas publikimit të autobiografisë së tij ditët e fundit në Brazil, Adriano rikthehet të flasë për jetë e tij dhe e bën këtë gjë përmes një letre të gjatë të publikuar nga “The Players Tribune”.Perandori tregon për lidhjen që ka me Vila Kruzerion, lagjen e famshme të Rio De Zhaneiros ku është rritur dhe që prej të gjithëve njihet si një vend i rrezikshëm deri në vdekje dhe ku njerëzit vuajnë. Nga kujtimet e kaluara aty me familjen e deri te trauma që ende nuk e ka kaluar, vdekjen e babait, Adriano flet pa dorashka. E nis letrën e tij me Krishtlindjet e para larg familjes.
“Periudha e festave është shumë e rëndësishme në shtëpinë time. Ne mblidhemi të gjithë bashkë. Kështu ka qenë gjithmonë. Edhe natën e vitit të ri, përpara shtëpisë time mblidhej e gjithë fanella. Kur shkova tek Interi, tronditja ishte shumë e madhe, sidomos gjatë dimrit të parë. Erdhën Krishtlindjet dhe unë isha vetëm në apartamentin tim. Në Milano ishte shumë ftohtë. Ndjeva depresionin që vjen në muajt e ftohtë dhe gri të Italisë veriore. Njerëzit ishin të gjithë të veshur me të errëta, rrugët të boshatisura. Ditët shumë të shkurtra dhe ishte shumë lagështi. Nuk ke dëshirë të bësh asnjë gjë. E gjithë kjo më shtonte mallin për shtëpinë time dhe u ndjeva shumë keq”.
Megjithatë është dikush që përpiqet ta ndihmojë Adrianon të kalojë mallin për familjen. “Klarens Sedorf ishte vërtetë një shok i mirë. Ai dhe gruaja e tij organizuan një darkë për miqtë më të afërt dhe më ftuan dhe mua. Ai ka një stil shumë të mirë. Ishte gjithçka e bukur dhe e shijshme, por e vërteta është se unë doja të isha në Rio De Zhaneiro. Nuk qëndrova gjatë. I kërkova ndjesë, i përshëndeta dhe u ktheva në apartamentin tim. Më pas telefonova në shtëpi.
“Përshëndetje mama. Gëzuar Krishtlindjen”, i thashë. “Djali im më mungon shumë. Gëzuar Krishtlindjen edhe ty. Janë të gjithë këtu, vetëm ti mungon”, mu përgjigj. Në sfond po dëgjoheshin të qeshura. Muzika me të cilën kërcenin tezet e mia për të kujtuar rininë e tyre. Ato kërcenin si të ishin në diskotekë. Edhe mamaja ime gjithashtu. Mjafton të dëgjoja ato zhurma në telefon dhe gjithçka dukej sikur e kisha përpara syve. Fillova të qaj menjëherë. Ndihesha i copëtuar. Mora një shishe vodka dhe pa e ekzagjeruar, e piva të gjithën vetë. U deha me vodka dhe kam qarë gjithë natën. Më zuri edhe gjumi në divan ngaqë kisha pirë dhe qarë shumë. Por çfarë mund të bëja tjetër? Isha në Milano me një qëllim. Ishte ajo çfarë kisha ëndërruar gjithë jetën time. Zoti më kishte dhënë mundësinë të bëhesha një futbollist në Europë. Jeta e familjes time ishte përmirësuar shumë falë punës time dhe gjithçka Zoti kishte bërë për mua.
Edhe falë asaj që ata kanë bërë për mua. Ky çmim ishte shumë pak për t’u paguar në fund në raport me atë që kishte ndodhur dhe do të ndodhte. Isha i vetëdijshëm për këtë gjë.” Vila Kruzerio megjithatë ishte streha e tij, kur sipas asaj që thotë Adriano, u “arratis” nga Italia në një nga periudhat e tij më të vështira. “Kur u “arratisa” nga Interi dhe nga Italia, erdha këtu për t’u fshehur. Bëra xhiro në kompleks për tre ditë dhe askush nuk më gjeti. Është e pamundur. Është rregulli numër një i fanellës”, përfundoi Adriano.
PANORAMASPORT.AL