Radamel Falcao ka hyrë përfundimisht në historinë e futbollit kolumbian.
Sulmuesi 38-vjeçar shënoi golin e tij të 347-të në karrierë, për t’u bërë kështu futbollisti kolumbian më rezultativ i të gjitha kohërave.
Rekordi në fjalë u vendos prej tij pikërisht të enjten në mbrëmje, në ndeshjen e kampionatit mes Millonarios të tij dhe Boyaca Chico.
“Po, po, po, po! ‘Tigri’ është golashënuesi më i mirë në histori”, nënvizonte në ‘X’ Liga Kolumbiane e Futbollit.
Me golin e shënuar në minutën e 93-të të ndeshjes të fituar 5-1 nga skuadra e tij, Falcao kaloi Victor Hugo Aristizabal, ish-futbollistin që luajti për Atlético Nacional, Valencia, Sao Paulo dhe Cruzeiro.
Falcao ka shënuar 36 gola me kombëtaren, ku është edhe golashënuesi më i mirë historik, dhe 311 gola me klubet.
Këto të fundit ndahen: 83 gola në 4 sezone me Monaco, 72 gola me Porton, 70 gola me Atlético Madrid, 45 gola me River Plate, 12 gola me Rayo Vallecano, 20 gola me Galatasaray, 4 gola me Manchester United, 1 gol me Chelsea dhe 2 gola me Millonarios.
Pas një qëndrimi të gjatë në Europë dhe eksperiencës së fundit me Rayo Vallecano (2021-2024), kolumbiani zbarkoi këtë sezon te Millonarios, klub i Bogotas, me të cilin ka qenë gjithmonë tifoz i madh, edhe ku kishte luajtur në sektorin e të rinjve.
Ai bëri debutimin e tij profesional në Argjentinë 20 vite më parë me River Plate dhe tani, më në fund, ka hyrë në histori si golashënuesi më i mirë kolumbian i të gjitha kohërave.