Federata Gjermane e Futbollit do të kërkojë organizimin e katërshes finale në Nations League, nëse Gjermania arrin të kualifikohet në gjysmëfinale. Shtutgarti dhe Mynihu janë dy qytetet favorite për katër ndeshejt që do të luhen qershorin e ardhshëm.
Federata Gjermane e Futbollit është e interesuar të organizojë finalet e Nations League, që do të luhen në qershor të vitit të ardhshëm, në rast se Gjermania arrin të kualifikohet për në gjysmëfinale. Do të jenë katër ndeshje, dy gjysmëfinalet, ndeshja për vendin e tretë e të katërt dhe finalja, që do të luhen në dy qytete. Aktualisht, dy qytetet favorite të Gjermanisë janë Mynihu dhe Shtutgarti.
Allianz Arena i Mynihut synon të presë një gjysmëfinale dhe finalen, ndërsa Neckarstadion i Shtutgartit dy ndeshjet e tjera. UEFA do të vendosë për vendin organiztor të katërshes finale më 16 dhjetor. Preferenca është që vendi pritës të jetë midis katër gjysmëfinalistëve, por këta do të njihen vetëm më 23 mars, pas çerekfinaleve.
Në dhjetor, UEFA do të caktojë një nga çiftet çerekfinaliste dhe skuadra që kalon në gjysmëfinale merr automatikisht edhe organizimin e finaleve. Nëse Gjermania arrin të marrë organizimin, atëherë Allianz Arena do të presë dy finale evropiane në pak më tepër se një javë, pasi më 31 maj do të luhet finalja e Champions League dhe më 8 qershor finalja e Nations League.