Një hajdut shqiptar që bastisi shtëpitë e yjeve të Premier Ligës me rreth 1,1 milionë paund objekte të vjedhura. Është dënuar me thuajse 13 vite burg në Angli.
Emiliano Krosi, 24 vjeç, mori pjesë në 33 vjedhje gjatë një periudhe katër-mujore midis 11 nëntorit 2002 dhe 16 marsit 2023, mes të cilave edhe banesat e Rahim Sterling, Mark Kukureja dhe Skot Dan. Krosi, ishte ekspert për bizhuteritë dhe sendet e luksit, teksa kishte dalluar në shtëpinë e Sterling se cilët ishin orët e vërteta dhe ato të rreme, sipas dëshmive në gjykatë.
Shtëpitë ishin “përzgjedhur me kujdes me shpresën dhe pritjen për fitime të mëdha’ dhe banda kreu “kërkime të shpejta të çrregullta”. Kur Krosi, i cili kishte udhëtuar drejt Anglisë i fshehur në një kampion, u arrestua për herë të parë, kishe pyetur “Çfarë është vjedhja?”.
Ai u dënua me 12 vjet e 10 muaj burg për komplot për vjedhje, posedim me qëllim të furnizimit me kokainë dhe posedim të thjeshtë të kanabisit.
Vlera totale e vjedhjeve ishte rreth 1,139 milionë paund sipas gjykatës. Bashkëpunëtorët e tjerë të dyshuar u larguan nga vendi ndërsa ishin në lirim me kusht nga policia.
Futbollisti Skot Dan, në një deklaratë të lexuar nga prokurori, tha se gruaja e tij kishte humbur unazën e fejesës dhe ai ishte në shtëpi me gruan dhe dy fëmijët e vegjël kur ata u grabitën. Iu vodhën gjithsej 220000 paund.
Gjatë një seance të mëparshme, gjykata dëgjoi se hajdutët hynë në dhomën e gjumit të futbollistit anglez Rahim Sterling dhe vodhën 10 nga orët e tij luksoze Rolex me vlerë të paktën 300000 paund. Futbollisti i njohur ishte jashtë vendit i grumbulluar me Anglinë gjatë Kupës së Botës në Katar, i detyruar të braktiste grumbullimin për t’u kthyer në shtëpi, duke humbur një ndeshje të rëndësishme ndaj Senegalit.
Gjatë gjykimit të çështjes, prokurori shpjegoi: “Një nga viktimat, Rahim Sterling, liston 10 ora Rolex shumë të vlefshme që i janë vjedhur nga garderoba e partneres së tij dhe komenton se ai gjithashtu ka edhe disa orë false që i kishte te e njëjta gardërobë. Megjithatë, këta hajdutë e dinin se çfarë donin dhe morën ato me vlerë. Edhe në rrethanat e nxituara të një vjedhjeje, këta hajdutë e dinin saktësisht se çfarë po bënin”, shpjegoi ai.
Gjykata më parë dëgjoi se Mark Kukureja, një lojtar i Çelsit, humbi sende me vlerë 62000 paund, duke përfshirë çantat Louis Vuitton.
Gjykata dëgjoi se Krosi kishte një foto në telefonin e tij që tregonte kushëririn e tij me një gjerdan të vjedhur, së bashku me fotot e makinave të shumta të lidhura me vjedhjet. Ai gjithashtu kishte bërë kërkime për orët Rolex dhe Louis Vuitton dhe u gjetën mesazhe duke me diskutime për shitjen e sendeve të vjedhura. Telefoni i tij celular ishte i lidhur me disa vende të vjedhjeve.
Lusi Kenedi, avokate mbrojtëse e Krosit, tha: “Këto nuk ishin vjedhje të rënda, nuk kishte asnjë qëllim që ato të ishin rënduese. Atij i vjen keq për gjithçka që ka ndodhur”.
Gjykatësi tha se provat tregonin se banda kriminale ishte një “grup familjar”. Prokurori Riçard Bendall tha: “Kjo ishte një marrëveshje me të tjerët, disa prej të cilëve të lidhur familjarisht, për të grabitur shtëpi me vlera të larta në Sërrej dhe gjetkë. Ishte një organizatë e suksesshme. Ishin të gjitha prona të mëdha të shkëputura, të vendosura në zona të pasura… zakonisht me kopshte të mëdha të pasme të zgjeruara që vijonin në tokë të hapur. Ata ishin përzgjedhur me kujdes me shpresën dhe pritshmërinë e vjedhjeve me fitim të lartë, të cilat shpesh materializoheshin.
Mënyra e veprimit ishte ai i kalimit në fushë, pastaj aksesi në kopshtin e pasëm, e pastaj përdorimi i shkallëve ose mobiljeve për të hyrë në prona. Kishte kërkime të shpejta të çrregullta në shumicën e pronave, zakonisht të kufizuara në dhomat e gjumit, por shpesh në dhomat kryesore të gjumit. Janë përdorur gjashtë automjete të ndryshme, të regjistruara me emra të ndryshëm të rremë të kompanive fiktive”.
Gjykata dëgjoi se Krosi dhe kolegët e tij u arrestuan kur policia gjurmoi një nga automjetet në një pronë në Roman Mjus, Eseks, pas një vjedhjeje. Nga pika e hyrjes u mor gjak, i cili përputhej me kushëririn e të pandehurit, Gerard Kalaja.
Prokurori tha se kishte një ‘shpellë të Aladinit me sende të vjedhura dhe bizhuteri’ në pronën në Roman Mjus. U gjetën edhe mjete të përdorura për vjedhje, duke përfshirë leva dhe vare.
Të paktën tre persona të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia pasi janë arratisur ndërsa vijonte gjyqi në fjalë.
PANORAMASPORT.AL