Jusuf Fofana dhe Tizhani Reijnders arritën në ndalesën e kombëtareve me një rekord: asnjë dyshe në mesfushë në Serie A nuk luan më shpesh në formacione se ata. Ata kanë qenë titullarë në 12 ndeshje mes kampionatit dhe Champions-it (8 dhe 4), nga 15 gjithsej.
Të pandashëm dhe të pazëvendësueshëm. Për Fonsekën janë një garanci dhe i përgjigjen me besueshmëri ndeshjeve dhe dyluftimeve për ekipin. Pa e kursyer kurrë veten. Nuk është rastësi që holandezi që në rininë e tij quhej ‘Duracell’(bateria e njohur). Pseudonimi jep një ide të karakterit.
GJITHMONË NË FUSHË PËRVEÇ…— Fofana nuk ishte titullar vetëm në dy ndeshjet e para të sezonit: debutimi kundër Torinos, sepse nuk kishte ardhur ende te Milani, dhe na javën e dytë kundër Parmës, mbrëmjen në të cilën ai u aktivizua në ndeshje e sipër. Që atëherë e tutje, Fonseka nuk e largoi kurrë nga njëmbëdhjetëshja e parë. Reijnders, nga ana e tij, u përjashtua me karton të kuq më 19 tetor kundër Udinezes çka i kushtoi ndeshjen kundër Napolit.
Përndryshe, ai do t’i kishte luajtur të gjitha. Vitin e kaluar ishin të ndarë, Jusufi luante në Monaco dhe Milani kishte më tepër rrotacione në mesfushë, por shifrat individuale mbetën konstante. Në fakt, duke marrë parasysh pesëmbëdhjetë ndeshjet e para të sezonit, shohim se si holandezi kishte humbur vetëm një sfidë nga minuta e parë (në Champions kundër Njukasëllit), teksa i kishte luajtur të gjitha në kampionat. Nga ana tjetër, Fofana e kishte nisur gjithmonë për Monakon: 15 nga 15 dhe gjithmonë në fushë për 90 minuta, por pa u aktivizuar në garat e kupës.
PSE FONSEKA BESON – E sigurt është se Fonseka nuk mund të heqë dorë kurrë nga çifti i tij titullar. Si për mungesën e dukshme të alternativave në mes të fushës, ashtu edhe për nivelin e paraqitjeve të ofruara nga të dy. Në fakt, të dy plotësojnë njëri-tjetrin.
Francezi është më shumë një rikuperues i lindur, një mesfushor i ekuilibruar dhe luftarak, ndërsa Tizhani ka më shumë licencë për të shpikur. Edhe këtu shifrat thonë diçka. Fofana kryen 84% të pasimeve dhe fiton 65% të dueleve. Për Reijnders, megjithatë, shifrat për “pastërtinë” e përpunimit të topit janë të habitshme. Holandezi ka 97% pasime të sakta dhe pasime të sakta progresive.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL