Shqipëria do të përballet me Ukrainën të martën në mbrëmje në “Air Albania”, e cila do të jetë dhe ndeshja e fundit për grupin B1 në Nations League, ku kuqezinjtë synojnë fitoren.
Një ditë para sfidës trajneri ukrainas Sergei Rebrov ka vlerësuar maksimalisht kuqezinjtë, ndërsa është shprehur se Ukraina ka një skuadër me të ardhme, por ka nevojë për stabilitet.
“Ne kemi një ekip shumë të ri. Në Europian kishim ekipin më të ri, tani edhe më të ri se më parë. Lojtarët e rinj, edhe nëse janë liderë, nuk janë stabël. E rëndësishme për lojtarin që do të jetë një lider, është të tregojë lojë stabël në klub dhe ekipin kombëtar. Mendoj se për momentin kemi ekip të mirë, miks të mirë, balancë me të rinj dhe me eksperiencë. Ky ekipi ka të ardhme. Por unë u them gjithmonë lojtarëve që futbolli është për sot, se sido ke luajtur dje apo luajtur në klub, duhet të vish në fushë dhe tregosh maksimumin në ekipin kombëtar. Ne këtë nivel, luajmë me më të mirët e çdo vendi. Nesër luajmë ndaj Shqipërisë, 99% e lojtarëve të saj luajnë në Europë, shumica e tyre në ligat më të mëdha”, tha ndër të tjera Rebrov para mediave.