Mes Dushan Vlahoviçit dhe Juventusit, ose më mirë Tiago Motës, diçka po shkon keq. Edhe pse tema duket e vjetër, risia e re vjen nga vetë sulmuesi serb, i cili në një intervistë u shpreh se po ndihet më mirë te Serbia për shkak se ka më pak detyra mbrojtëse.
Aty sipas Vlahoviçit, vrapon më pak dhe është më i kthjellët përpara portës. Është më i rrjedhshëm në sulm edhe për faktin se loz me një shok reparti, ndërsa te Juventusi repartin duhet ta mbajë mbi shpinë i vetëm. Në vëmendje vjen një kërkesë e Alegrit, që e ka bërë sigurisht dhe Mota, që Vlahoviç të punojë më shumë në lojën pa top.
SITUATA- Kjo “përplasje” është vetëm maja e ajsbergut. Numri 9 i Juventusit ka një kontratë që hyn në një zonë të rrezikshme për klubin. Detyra e Xhuntolit është që të rinovojë kontratën me Vlahoviçin brenda vitit 2024, në mënyrë që serbi të mos ketë mundësinë e largimit me parametër zero në përfundimin e kontratës.
Megjithatë, nëse vjen kontrata e re, mund të shihet në dy forma. E para është konfirmimi i Vlahoviçit në qendër të projektit të Juventusit dhe e dyta lidhet me amortizimin e shpenzimeve që janë bërë deri më tani për sulmuesin serb. Kontrata aktuale e Vlahoviçit peshon shumë, rreth 35 milionë euro në total. Në fund të këtij sezoni ai do të marrë 10.5 milionë euro, ndërsa sezonin tjetër 12 dhe rreziku që ai të përfundojë në një situatë të pasigurt si Kieza do të ishte shumë problematik për Juventusin, pasi kontrata aktuale i skadon në 2026.
RINOVIMI- Megjithatë, rinovimi i Dushan Vlahoviçit për momentin duket si në një gjendje “të ngrirë”. Nga njëra anë është Juventusi që kërkon të ulë pagën e sulmuesit, i cili paguhet më shumë se çdo lojtar tjetër te “Zonja” dhe është jashtë filozofisë së re bardhezi. Nga ana tjetër është serbi dhe agjentët e tij të cilët kërkojnë të përfitojnë sa më shumë nga marrëveshja e re. Takimet e para nuk kanë dhënë frytet e nevojshme, ndërsa nga ana tjetër, Xhuntoli nxiton për të vendosur veten në situatë komode.
PANORAMASPORT.AL