Xavi hernandez është ëndrra e madhe e Inter Miami të Leo Messit për të pasuar Tata Martinon, i cili po largohet nga klubi i Floridës për “arsye personale”. Ky informacion është raportuar nga shtypi amerikan.
Këtë të mërkurë, shtypi katalanas, konkretisht gazeta “Sport”, ka folur për mundësinë, duke siguruar se ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Barcelonës ka ndërmend të kthehet në aktivitet vetëm në verë dhe… në Europë.
Burimi i njëjtë thekson se Xavi gjithashtu ishte përmendur për postin e trajnerit të përfaqësueses së Katarit, një mundësi që është jashtë planeve të tij.
Skuadra e Lionel Messit, e kualifikuar për në Kupën e Botës të Klubeve pavarësisht se u eliminua në “play-off”-et e MLS, mund të bwhet destinacioni i ri i Xavit.
Përveç rikthimit me emra si Messi, Suárez, Jordi Alba dhe Busquets, me të cilët ka ndarë dhomën e zhveshjes në Barcelona, pjesëmarrja e Inter Miamit në Kupën e Botës të Klubeve të vitit 2025 mund të jetë një faktor që do ta bëjë Xavin të mendojë mundësinë për të kaluar në Major League Soccer (MLS).
Duhet theksuar se sezoni i Inter Miamit ka përfunduar me një surprizë negative: eliminim në raundin e parë të play-off-eve përballë Atlanta United, në një raund të luajtur në sistemin e tri ndeshjeve.