Shqipëria e mbylli në mënyrën më të keqe të mundshme fazën e grupeve të ligës së kombeve.
Kuqezinjtë u mundën nga Ukraina 2 me 1 në shtëpinë tonë dhe u renditën të fundit në grupin B1, çka do të thotë zbritje në ligën C.
Disfatë e rëndë për skuadrën e Silvinjos e cila sidomos në pjesën e parë zhvilloi një nga ndeshjet më të dobëta të viteve të fundit.
Lëvizjet në formacion të trajnerit nuk funksionuan, ndërsa skuadra u trondit që në fillim nga dy gola të shpejtë të shënuar nga Zincenko dhe Jaremcuk.
Shqipëria nuk iu përgjigj dot në asnjë moment gjatë pjesës së parë dinamizmit, qarkullimit të saktë të topit dhe veprimeve të shpejta të miqve duke e kthyer portierin Trubin në një spektator.
Ndryshe pjesa e dytë ku në sajë të aktivizimit të Nedim Bajramit, Hoxhës dhe Uzunit në vend të Asanit, Mucit dhe Dakut, por edhe dëshirës për të dhënë më të mirën kuqezinjtë ishin më të pranë portës kundërshtare, duke krijuar disa mundësi me Uzunin dhe Bajramin.
Sulmuesi i Granadës fitoi edhe penalltinë madje që u transformua në gol nga Bajrami në minutën e 75, episodë që dha përshtypjen se do ta karikonte më shumë ekipin për të shmangur humbjen dhe rënien në ligën C, por kjo gjë nuk ndodhi.
Ky rezultat zhgënjyes u lexua qartë edhe në humorin dhe qëndrimet e trajnerit Silvinjo, i cili fajësoi grupin e vështirë sipas tij për dështimin, por pranoi se Shqipëria duhet të përmirësohet sidomos sa i takon personalitetit.
“Eksperienca është pjesë e së gjithës, kur rritesh në nivele gjen ekipe që nuk të falin në gabime që mund të bësh. Ne duhet të përmirësohemi, të gjejmë ekuilibër për skuadrën, duhet të punojmë shumë. Nuk mund të flas për lojtarët sepse çdo gjë që kemi kërkuar në fushë e kanë bërë. Ishte një grup shumë i vështirë, ndoshta më i keqi që mund të kishim. Nuk është e lehtë të përmbysësh një rezultat, pavarësisht se jemi munduar dhe kemi qenë më brenda me ekipin në pjesën e parë. Duhet të përmirësohet qasja përsa i përket personalitet, si futemi në lojë. Ndeshje të tilla të kushton shumë. Është proces rritje dhe duhet të vazhdojmë të përmirësohemi”, tha trajneri Sylvinho.
Në takimin tjetër të grupit B1, Çekia mundi 2 me 1 Gjeorgjinë dhe e mbylli grupin në krye me 11 pikë, Ukraina e dyta me 8 pikë, Gjeorgjia dhe Shqipëria me 7 pikë, por kuqezinjtë për shkak të golavarazhit më të dobët u renditën të fundit dhe në edicionin e ardhshëm të ligës së kombeve do të luajnë në ligën C, ndryshe nga Çekia që siguroi kalimin në ligën A.