Lajmi i mirë për Realin gjatë ndalesës së kampionatit ishte, se asnjë nga lojtarët e vet që kishte udhëtuar me kombëtaret e vendeve të tyre nuk ka shfaqur ndonjë problem.Që do të thotë se të paktën në fundjavë, kundër Leganesit e në vazhdim Ançeloti do të ketë gati të gjithë lojtarët, pa i shtuar radhët e infermierisë me të tjerë të dëmtuar. Pikërisht të dielën, Reali kthehet të luajë në La Liga ku do të përballet me Leganes (18:30) në “Santiago Bernabeu”. Karlo Ançeloti që jo pak dhembje koke ka pasur nga dëmtimet e njëpasnjëshme po konsideron të hedhë në fushë një njëmbëdhjetëshe që duket pothuajse më e pasigurta deri më tani këtë sezon.
Për Realin kjo do të jetë ndeshja e parë pa Lukas Vaskez (i dëmtuar), pa Rodrigon dhe pa Militaon, teksa të tre u dëmtuan në ndeshjen e fundit në Liga kundër Osasunës. Dhe kjo pa harruar që nuk do të jetë as Tçuameni, një mesfushor që gjithnjë në raste emergjente është aktivizuar në mbrojtje. Dëmtimet janë padyshim problemi kryesor për Ançelotin, por jo i vetmi. Ka edhe dy të tjera për tu marrë parasysh: shumica e futbollistëve kthehen nga kombëtaret e tyre. Valverde dhe Vinicius janë të fundit që do të bashkohen dhe pritet të mbërrijnë sot pa pasur shumë mundësi rikuperimi. Dje u kthyen Bellingam dhe Modriç (me kroatin që luajti të dyja ndeshjet për kombëtaren e tij). Por Ançeloti duhet të mendojë edhe për faktin se tre ditë pas ndeshjes në La Liga duhet të bëjë një vizitë në “Anfield” në Ligën e Kampioneve, një takim shumë i rëndësishëm pas humbjes në shtëpi kundër Milanit.
Koha për planin B – Në këto kushte, trajneri italian mund tu japë një mundësi lojtarëve që janë aktivizuar më pak se zakonisht, i nxitur edhe nga situata me dëmtimet dhe kalendari i ngjeshur. Pikëpyetja e parë ka të bëjë me krahun e djathtë në mbrojtje. Ndaj Osasunës, trajneri e zgjidhi problemin në pjesën e dytë (pasi Lukas u largua i dëmtuar), duke e vendosur Valverden në atë pozicion. E vërteta është se edhe ndaj Leganes nuk duken në horizont shumë alternativa të tjera. Militao ishte një, por as ai nuk është aty. Në skuadrën e të rinjve, Ançeloti ndoshta do të shkojë për Fortean, ndonëse besimi nuk është i plotë. Mendi është një tjetër lojtar që ka luajtur herë pas here si mbrojtës i djathtë, veçanërisht gjatë kohës së tij te Lioni. Opsioni tjetër në shtëpi është Asensio, i cili tashmë ka provuar si mbrojtës i djathtë me Ançelotin në disa seanca stërvitore. Pyetja tjetër e madhe është se kush do të luajë në qendër të mbrojtjes së bashku me Rydiger.
Asensio, pas debutimit të shkëlqyer ndaj Osasunës, i ka të gjitha shanset. Nga mesfusha e lart gjithçka është më e hapur. Kamavinga duket i fiksuar pas kthimit nga kombëtarja, por lojtarë si Modriç dhe Valverde mbërrijnë me ngarkesa. Sebajos ka punuar në Valdebebas dhe po bëhet më shumë pjesë e ekipit në ndeshjet e fundit. Shanset janë të mëdha edhe për linjat e dyta si Brahim Diaz, Arda Gyler. Tani mbetet për tu parë se çfarë do të propozojë italiani.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL