Timothy Weah, lojtari i Juventusit, ka folur në një intervistë për “Il Giornale” rreth përvojave të tij në Itali dhe diferencave me vendet e tjera evropiane, duke përmendur çështje të racizmit dhe cilësinë e stadiumeve.
Italia në fushë është, për fat të keq, më raciste se Franca. Stadiumet italiane janë më të këqija. Më kujtohet mirë çfarë ndodhi me Maignan një vit më parë, por ka edhe episode të tjera, më pak të njohura. Jashtë fushe, personalisht nuk kam pasur përvoja negative, por unë shihem kryesisht si futbollist.
I pyetur për rëndësinë e babait të tij, ish-lojtarit legjendar George Weah, Timothy tha:
“Për mua, ai është thjesht babai im, jo George Weah. E di që është një mit, por herën e fundit që erdhi në Torino, dolëm jashtë dhe tifozët kërkuan foto me mua, jo me të. Ishin të rinj dhe nuk e njohën (qesh). Flasim gjithmonë, ai ndjek të gjitha ndeshjet e mia bashkë me mamanë.”
Timothy theksoi rëndësinë e paqes dhe dashurisë, vlera që ia kanë kultivuar prindërit:
“Kam tatuazh simbolin e paqes në dorë dhe kjo nuk është vetëm një ide. Jam kundër të gjitha luftërave. Angazhimi për të mbrojtur të drejtat e atyre që vuajnë nga konfliktet është një nder, jo një detyrim.”